Vendosni fjalën kyçe....

Biden: Do të isha me fat nëse Trump rikandidon kundër meje në 2024-ën


Presidenti amerikan Joe Biden shprehet se nuk ndihet i shqetësuar për zgjedhjet e vitit 2024, pasi u pyet nga gazetarët lidhur me mundësinë që ish-presidenti Donald Trump ose dikush tjetër të fitonte.

Përkundrazi, ai tha se do të ishte mirë që të dilte sërish kundër Trumpit.

Çështja u përmend gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Belgjikë, ku Biden kishte njoftuar masat që SHBA po merr për të ndihmuar Ukrainën dhe popullin e saj.

Një gazetar pyeti nëse presidenti ose NATO po ndërmerrnin hapa për të siguruar që ajo që po bëjnë tani nuk mund të zhbëhej nëse Biden nuk do të ishte më president pas vitit 2024.

“Zgjedhjet e ardhshme, do të isha shumë me fat nëse do të kisha të njëjtin njeri që të konkurronte kundër meje.”– tha Biden.

Presidenti, duke zgjedhur të mos i referohet Trumpit me emër në asnjë moment në përgjigjen e tij, tha para kësaj vërejtje se ai nuk i qaset politikës së jashtme duke pasur parasysh zgjedhjet.

“Asnjë zgjedhje nuk ia vlen të bëj pikërisht atë që mendoj se është gjëja e duhur.”– tha Biden sipas Fox News.

Presidenti i SHBA-ve tha gjithashtu se “ne jemi shumë larg” nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe ai është më i fokusuar në ruajtjen e kontrollit të Kongresit nga demokratët në zgjedhjet afatmesme të këtij viti. Ndërkohë, Trump ende nuk ka bërë të ditur nëse do të kandidojë sërish për president, ndonëse e ka lënë të hapur mundësinë dhe ka mbajtur mitingje muajt e fundit. Shumë republikanë të tjerë janë përfolur gjithashtu se po shqyrtojnë të kandidojnë për Shtëpinë e Bardhë.