Vendosni fjalën kyçe....

A do lirohet selia? Alibeaj: Vendimi është i ekzekutueshëm vetëm pasi e thotë Apeli


Kryetari i komanduar i PD-së Enkelejd Alibeaj në një prononcim për mediet theksoi se që vendimi i gjykatës të jetë i ekzekutueshëm, duhet të pritet vendimi i Apelit.

Ai la të kuptohet se selia nuk do të lirohet deri në momentin që gjykata të thotë fjalën e fundit.  Sipas tij, vendimi i sotëm i gjykatës për të njohur statutin e Kuvendit të 11 Dhjetorit është nul, pasi PD-ja nuk është palë në atë proces.

“Vendimi është i vlefshëm dhe i ekzekutueshëm vetëm kur shqyrtohet në instancë finale që është në Apel. Ky vendim i sotëm me çfarëdolloj përmbajtjes bëhet i ekzekutueshëm nëse nuk ankimohet ose kur ankimohet dhe gjykata e Apelit e shqyrton. E kuptoni?

Po e përsëris, për vendimin e Kuvendit të datës 18 Dhjetor i fundit në radhë kemi paraqitur një ankimim. Të presim gjykatën e Apelit. Kur gjykata flet të tjerët heshtin.

E vërtetë është një gjë që ne kërkuam të bëjmë palë në proces, por nuk na bënë ndaj vendimi është nul.

E drejta e ankimit është një e drejtë Kushtetuese, çdokush i prekur në një proces ka të drejtë të ankimojë.

Sot po flasim për një çështje juridike, bashkimi është një çështje politike. Zoti Basha ka bërë hapin e vetë është tërhequr, ndërkohë që nga pala tjetër duhet të bëhet e njëjta lëvizje simetrike në mënyrë që demokratët të bashkohen.”– deklaroi Alibeaj.