Vendosni fjalën kyçe....

Berisha në Kuvend: Mbajtët sekret gripin e pulave, kjo do të jetë pranvera e protestave të mëdha


Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar për protesta në javët në vijim.

Gjatë fjalimit të tij në foltoren e Kuvendit ai përmendi këtu si një nga shkaqet rritjen e çmimeve për shkak të keqmenaxhimit të qeverisë, përmendi dhe gripin e shpendëve duke shtuar se qeveria e ka mbajtur sekret për shumë gjatë.

“Kjo vdekshmëri ka në bazë vetëm vjedhjen. Sepse Kosova, Maqedonia shtronte tre herë më shumë në spitale ndërsa këtu tregoheshin filma me kodra me të vdekur. Hajduti ka vetëm refleksin e vjedhjes. Nuk ka ndjenja. Vijmë pak te energjia.

Lajmëtari i parë i rritjes së çmimit të energjisë është vetë kreu i qeverisë. Nuk ndodh në botë të bëhesh aksioni i çmimeve të naftës pa pasur vetë aksione. Jam dakord që tregu ka pësuar goditje nga lufta në Ukrainë. Por në Shqipëri si në asnjë vend tjetër paguhen 4 taksa dhe tre tarifa.

KESH nuk publikon çmimet me të cilat ka eksportuar energjitë. Ka zbrazur kaskadën në kundërshtim me ligjet e vendit. 29 metër nga thellësitë ka zbrazur kaskadën e ujit. Çfarë lidhja ka energjia elektrike me naftën. Është energji ujore me koston më të ulët. Le të vijmë më tutje. Ushqimet. Çfarë ndodh me ushqimet. Çdo shtet ka rezervën strategjike. Unë nuk kam asnjë xhelozi për lidhjet e kryeministrit. Nuk mund të pranoj që importuesi numër një i grurit të mos jetë garantues të paktën edhe për dy muaj. Si ka Kosova. Nuk po them si ka Gjermania apo Franca.

Inspektorët që dalin nëpër dyqane kanë zemër vetëm paranë. Nuk kanë asgjë tjetër.

Na sollën edhe gripin e pulave. Duke shkelur çdo ligj. Mbahej sekret qeveritar një sëmundje që duhet të deklarohet kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht sipas ligjeve. Po bëhet problem jo vetëm për vendin por edhe për rajonin.  Dhe u deklarua vetëm kur u sakrifikuan miliona pula.

Po njerëzit? Apo le të vdisnin nga epidemia e gripit të shpendëve, nuk kishte rëndësi, mjafton që të ruhej reputacioni i qeveritarëve.”-tha Berisha.

Në fund ai shtoi që kjo pranverë, të bëhet pranvera e protestave të mëdha.

“E mbyll këtë fjalë duke u bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që kjo pranverë, të jetë pranvera e protestave të mëdha.”– tha Berisha.