Vendosni fjalën kyçe....

Shteti amerikan lejon kryerjen e dënimeve me vdekje me anë të pushkatimit


Karolina e Jugut në SHBA tani ka mjetet për të lehtësuar ekzekutimet me anë të pushkatimit, thanë zyrtarët, duke e bërë atë një nga shtetet e pakta ku është e ligjshme të kryhet një dënim me vdekje në atë mënyrë.

Departamenti i Korrigjimeve të Shtetit tha se ka njoftuar zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm se ka zhvilluar protokolle dhe ka përfunduar rinovimet në një institucion korrektues në kryeqytet, duke i hapur rrugë të dënuarve me vdekje që të zgjedhin të pushkatohen nga një skuadër me tre persona në mesin e tre metodave të mundshme të ekzekutimit.

Një ligj shtetëror i miratuar në maj 2021 autorizoi ndryshimet e politikës së dënimit me vdekje, duke u dhënë personave të dënuar mundësinë për të zgjedhur vdekjen me pushkë ose injeksion vdekjeprurës kur është e mundur. Ai gjithashtu e bëri karrigen elektrike mënyrën kryesore të ekzekutimi.

Karolina e Jugut i bashkohet Mississippit, Oklahomas dhe Utah në lejimin e ekzekutimeve me skuadrën e pushkatimit. Këto shtete përdorin injeksionin vdekjeprurës si metodën e tyre kryesore. Tre ekzekutime, të gjitha në Utah, janë kryer nga skuadra e pushkatimit që nga viti 1976, sipas Qendrës së Informacionit të Dënimit me Vdekje.

Ronnie Lee Gardner, një vrasës 49-vjeçar i dënuar, ishte personi i fundit në Shtetet e Bashkuara që u ekzekutua me pushkatim në vitin 2010.

Karolina e Jugut kreu për herë të fundit një ekzekutim në vitin 2011 kur Jeffrey Motts, 36 vjeç, u dënua me vdekje me injeksion vdekjeprurës pasi u dënua për vrasjen e një shoku të qelisë në vitin 2005.

Që kur Shtetet e Bashkuara rivendosën dënimin me vdekje në 1977, Karolina e Jugut ka kryer 43 ekzekutime. Ajo ka 35 të burgosur të dënuar me vdekje, sipas Departamentit të Burgjeve.