Vendosni fjalën kyçe....

PD pas takimit të Ramës me kryebashkiakët: Një nivel i ri i Teatrit të absurdit


Partia Demokratike e konsideron një tjetër shfaqje takimin e sotëm të kryeministrit Edi Rama me kryetarët e bashkive të vendit.

Deputetja e zgjedhur Dhurata Çupi ka dalë në një deklaratë për mediet, ku ka thënë se ë dëgjosh Ramën që bën moral për tenderat dhe korrupsionin, nuk është gjë tjetër veçse një nivel i ri i teatrit të absurdit.

Zonja Çupi e akuzon kryeministrin se ka miratuar 9 ligje të bëra apostafat për klientët e tij në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën.

Sipas saj, Qeveria Rama është kampione e Prokurimeve Publike të dhëna pa garë.

DEKLARATA E ÇUPIT

Pas shfaqjes tallëse të ditës së djeshme me policinë, sot Rama dhuroi shfaqjen e radhës me drejtuesit e komanduar të pushtetit vendor.

 “Bëni si them unë por mos bëni si bëj unë” u tha Rama të emëruarve të tij në bashkitë e vendit.

Natyrisht qytetarët shqiptarë e dinë se njerëzit e ndershëm të mbledhur në atë sallë numërohen në gishtat e një dore, megjithatë të dëgjosh Ramën që bën moral për tenderat dhe korrupsionin, nuk është gjë tjetër veçse një nivel i ri i teatrit të absurdit. Sepse shkelësi i ligjit nuk mund të vendosë drejtësi aq më pak kritere ndershmërie në zbatimin e ligjeve mbi prokurimet publike.

Qeveria Rama, në kundërshti me çdo normë kushtetuese dhe ligjore, ka miratuar 9 ligje të bëra apostafat për klientët pranë kryeministrit. Duke e kthyer kështu korrupsionin në nivelin e kapjes së shtetit, sikurse vërtetohet nga raportet e “Transparency International”.

Qeveria Rama është kampione e Prokurimeve Publike të dhëna pa garë; 30% e prokurimeve publike në vend jepen pa garë që nga viti 2014. Fakt i provuar nga Komiteti Auditues i BE-së që 1 ne 3 jepet pa gare dhe kjo nuk ka lidhje me pushtetin vendor por me te gjithë qeverisjen Rama.

Çdo tender sot jepet pa gare, me 99% te vleres limit dhe me nje dem ekonomikte vertetuar nga klsh ne nivelin e 7 miliard euro.

E pra të dashur qytetarë, ai që bëri një ligj antikushtetues për shembjen e teatirt, me emër dhe mbiemër të ortakut me të cili do rrëmbente pronë publike, ai që falsifikoi firmë e Sekretartit të Shtetit të Delaëare për të vjedhur 20 milionë euro për një kilometër rrugë, ai që i kontraktoi miliona euro me kontrata sekrete, ai që praktikat korruptive nuk i ndali as në kohë pandemie dhe as gjatë fatkeqësisë së tërmetit, ai që e renditi Shqipërinë të dytën në botë për nivelin e ryshfetit, sot po përpiqet të lajë duart me korrupsionin, duke bërë koka turku ushtarët e tij nëpër bashki.

Fatkeqësia e Ramës është se nuk i gënjen dot më qytetarët. Shqiptarët e ndjejnë në xhepat e tyre, në tryezat e tyre peshën e korrupsionit që ka varfëruar çdo familje dhe e ka bërë edhe më të zymtë perspektivën europiane të Shqipërisë.

Shqiptarët e dinë që peshku qelbet nga koka dhe se një regjim që vjedh zgjedhjet nuk mund të ofrojë gjë tjetër veçse një qeverisjes të korruptuar.