Vendosni fjalën kyçe....

SHBA paralajmëron Kinën për pasoja nëse mbështet Rusinë


Presidenti i SHBA-së Biden paralajmëroi të premten udhëheqësin kinez Xi Jinping se do të kishte ‘pasoja’ nëse Pekini do t’i jepte mbështetje materiale Rusisë mes pushtimit të Ukrainës, tha Shtëpia e Bardhë, ndërsa të dyja palët theksuan nevojën për zgjidhje diplomatike të krizës.

Në një video-telefonatë që zgjati pak më pak se dy orë në një kohë të thellimit të tensioneve midis dy fuqive më të mëdha në botë, Biden detajoi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj për t’iu përgjigjur pushtimit, duke përfshirë edhe vendosjen e kostove ndaj Rusisë.

“Ai përshkroi implikimet dhe pasojat nëse Kina ofron mbështetje materiale për Rusinë, që po kryen sulme brutale kundër qyteteve dhe civilëve ukrainas,” tha Shtëpia e Bardhë në deklaratë, duke shtuar se Biden ‘theksoi mbështetjen e tij për një zgjidhje diplomatike të krizës’.

Ministria e Jashtme e Kinës tha se Xi i tha Bidenit se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe u bëri thirrje vendeve të NATO-s që të zhvillojnë një dialog me Moskën. Megjithatë, ai nuk e fajësoi Rusinë për sulmin.

“Prioritetet kryesore tani janë vazhdimi i dialogut dhe negociatave, shmangia e viktimave civile, parandalimi i një krize humanitare, ndërprerja e luftimeve dhe përfundimi i luftës sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Xi.

Ai tha se të gjitha palët duhet të mbështesin dialogun dhe negociatat Rusi-Ukrainë, ndërsa Uashingtoni dhe NATO duhet gjithashtu të zhvillojnë bisedime me Rusinë për të zgjidhur thelbin e krizës në Ukrainë dhe për të zgjidhur shqetësimet e sigurisë si të Rusisë ashtu edhe të Ukrainës.