Vendosni fjalën kyçe....

Ulsi Manja: Lejuan legalizimin e paligjshëm, nën hetim 20 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, 75 në hetim disiplinor


Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka dalë sot në një konferencë për mediet, ku denoncoi dy raste të legalizimeve të paligjshme në vend ku njëri ishte në Pogradec dhe një në Sarandë.

Gjatë fjalës së tij, Manja tha se 20 zyrtarë dhe ish zyrtarë janë në hetim dhe 75 të tjerë në procedim disiplinor.

Sipas tij në Pogradec janë hetuar 15 zyrtarë dhe ish-zyrtarë pasi u lejua legalizim i një objekti brenda ambienteve të një shkolle. Ndërsa në Sarandë në zonën Turizëm kanali i Cukës janë legalizuar pa leje dy objekte në një kohë që IKMT kishte kërkuar shembjen e tyre.

“Sot do bëj me dije se 20 zyrtarë dhe ish-zyrtarë janë kallëzuar penalisht nga njësia anti-korrupsion si dhe dhe 75 të tjerë, për të cilët u kemi kërkuar institucioneve procedim disiplinor me masa që nga ‘vërejtje’ tek ‘shkarkim nga detyra’.

Po ashtu dua të bëj me dije se për shkak të volumit të madh që ka njësia Antikorrupsion në ditët në vijim do të kemi një buletin.

Duke kaluar në veprimet konkrete, janë kallëzuar penalisht në prokurorinë e Pogradecit 15 zyrtarë dhe ish zyrtarë të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë lejuar dhe regjistruar një objekti brenda një shkolle në kundërshtimin me ligjin.

Bëhet fjalë për shkollën 9-vjeçare në Memlisht, ku është konstatuar ndërhyrje në regjistrat fizike të shkollës, regjistrim antiligjor brenda shkollës, pajisje me certifikatë pronësia të marrë në kundërshtim me ligjin.

Në lidhje me këto veprime janë kallëzuar penalisht zyrtarët dhe ish-zyrtarët.

Rasti i dytë ka të bëjë me një denoncim të ardhur nga një qytetar i zakonshëm, që e falënderoj, i cili a ka vënë në dijeni për disa legalizime në 2019 e në vazhdim në kadastrën e Sarandës për zonën Turizëm Kanalli i Cukës. Inspektori antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë kanë nisur verifikimet dhe është konstatuar legalizimi në kundërshtim me ligjin i dy objekteve 70 dhe 81 metër katror në këtë zonë.

Janë kallëzuar të gjithë zyrtarët dhe ish zyrtarët në kadastrën Sarandë, duke filluar me ish-drejtorin e ish-Kadastrës.”- deklaroi Manja.