Vendosni fjalën kyçe....

Boris Johnson viziton Arabinë Saudite në kërkim të naftës


Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson do të udhëtojë në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për të diskutuar se si të rriten eksportet e naftës dhe gazit të Lindjes së Mesme dhe të pakësohen blerjet nga Rusia, duke denoncuar veprimin ushtarak të Moskës në Ukrainë.

Në një deklaratë përpara udhëtimit të së mërkurës, Johnson kritikoi ‘sulmin brutal dhe të paprovokuar’ të Rusisë ndaj Ukrainës, ndërsa deklaroi se Londra po ndërton një koalicion ndërkombëtar për t’u përballur me një realitet të ri në sektorin e energjisë.

“Bota duhet të heqë dorë nga hidrokarburet ruse dhe të heqë varësinë ndaj naftës dhe gazit të Putinit.” – tha ai për presidentin rus, duke shtuar se “Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë partnerët kryesorë ndërkombëtarë në këtë përpjekje. Ne do të punojmë me ta për të garantuar sigurinë rajonale, për të mbështetur përpjekjet e ndihmës humanitare dhe për të stabilizuar tregjet globale të energjisë për një afat më të gjatë.”

Kryeministri fillimisht do të takohet me Princin e Kurorës së Emirateve, Mohammed bin Zayed përpara se të shkojë në Arabinë Saudite për një takim me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, ku ai pritet të diskutojë rritjen e prodhimit të energjisë të Gjirit, teksa Britania e Madhe kërkon të ulë importet ruse.