Vendosni fjalën kyçe....

“Më kanë kërcënuar nga familja”-Dritan Shakohoxha letër FSHF-së dhe komunitetit të futbollit: Bojkotoni Asamblenë Zgjedhore


Kandidati për president i FSHF-së, Dritan Shakohoxha, i është drejtuar me një shkresë zyrtare FSHF-së dhe antarëve të komunitetit të futbollit me një kërkesë për të mos zhvilluar Asamblenë Zgjedhore.

Në këtë letër Shakohoxha shprehet se procesi i cili pritet të zhvillohet ditën e nesërme është i trukuar dhe së çdo vendim që do merret nuk vlen.

“Në vazhdën e kësaj përballjeje, duke shprehur paraprakisht që në lidhje me këto shkelje të kryera nga FSHF dhe drejtuesit e saj unë do ti drejtohem Gjykatës dhe Prokurorisë, ndihem i detyruar që të kërkoj paraprakisht, nga FSHF dhe nga shumë prej personaliteteve të futbollit në Shqipëri dhe ekipeve të futbollit që ata përfaqësojnë, që me datë 15.03.2022, ata të shmangin dhe bojkotojnë zhvillimin nga FSHF të një procesi zgjedhor fals, të paligjshëm, jo statutor, jo demokratik, jo transparent dhe të manipuluar.”– thuhet në letër.

Lidhur me misionin zyrtar të UEFA-s, Shakohoxha shprehet se ai perfundoi papritmas pa asnje deklarate, pa asnje raport dhe ne heshtje te plotë te nje qendrimi ne lidhje me parregullshmerite e pretenduara nga palet.

Më pas ai shton: “Asnjë argument, asnjë provë, asnjë zgjidhje. Thjesht një kërcënim i pastër për lëshimin e një ‘bombe atomike’ ndaj sportit shqiptar, në mbrojtje të interesave të një njeriu të vetëm dhe në dëm të aspiratave të ligjshme të një komuniteti dhe madje populli të tërë, që tashmë e dinë shumë mirë fuqinë që ka korrupsioni në sportin e futbollit dhe aleancat e tij.

Pra dukshëm, misioni i vërtetë i delegacionit të UEFA-s, nuk ishte evidentimi i parregullsive në proces, por sigurimi përmes kërcënimit i një mandati të ri të Presidentit të FSHF-së, z. Armand Duka.”

Jo vetëm kaq, por kandidati për Kreun e FSHF-së pretendon se ka marrë kërcënime familjare.

“Ndërkohë, misioni im si kandidat për President i FSHF-së, mbetet i njëjtë dhe i pacënuar, as nga kërcënimet personale dhe familjare që më janë bërë gjatë kësaj kohe dhe as nga kërcënimet e UEFA-s dhe avokatëve të mirëpaguar të saj për përjashtime të Shqipërisë nga UEFA.”- shkruan ai në letër.

Kliko këtu për letrën e plotë