Vendosni fjalën kyçe....

Artan Hoxha tha se mund të jenë vrarë – Policia jep njoftimin zyrtar për zhdukjen e tre kushërinjve në Malësinë e Madhe


Policia e Malësisë së Madhe ka dhënë njoftimin zyrtar lidhur me zhdukjen e tre kushërinjve në Malësinë e Madhe, lajm që e bëri të ditur mbrëmjen e kaluar gazetari Artan Hoxha.

Sipas policisë, ka qenë vëllai i Vilson Çutajt nga Bajza e Malësisë së Madhe ai që ka telefonuar i pari dhe ka ngritur në këmbë uniformat blu.

“Më datë 04.10.2020, rreth orës 17:30, në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, ka bërë kallëzim shtetasi O. Ç., banues në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, se me datë 03.10.2020, rreth orës 15:00, ka humbur kontaktet me vëllain e tij shtetasin V. Ç. 37 vjeç, banues në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, dhe me dy afërmit e tij (kushërinjë) shtetasit K. P. 21 vjeç, dhe D. P. 25 vjeç, të dy me banim në fshatin Vrith, Malësi e Madhe.
Shërbimet e Policisë pas kallëzimit të bërë nga shtetasi O.Ç, kanë nisur kontrollet për gjetjen e këtyre shtetasve.”- njofton policia.

Ndonëse gazetari Artan Hoxha tha se kushërinjtë mund të jenë vrarë pas një konflikti për parcelat e hashashit, policia nuk e përmend një fakt të tillë në njoftim.

Artan Hoxha shkruante mbrëmë se gjallërimi i kanabisit në kodrat e malet e Shqipërisë sjell përveç milionave e zyrtarëve të korruptuar edhe vikimat e pazareve të prishura.

Sipas Hoxhës, personat e zhdukur prej 36 orësh në Malësinë e Madhe janë Vilson Pal Çutaj, i datëlindjes 20.11.1983, banues në fshatin Bajzë, bashkia Malësi e Madhe, Klement Nush Pepaj, i datëlindjes 15.01.1999 dhe Danjel Rrok Pepaj, i datëlindjes 17.09.1995, kushërinj me njëri-tjetrin, të dy me banim në fshatin Vrith, Malësi e Madhe dhe të afërm të Vilson Çutajt.

Hoxha shkruante në fund se sipas deklarimeve të familjarëve, dëshmitarëve dhe banorëve të zonës, policia dyshon se tre të rinjtë janë vrarë në një zonë të thellë dhe trupat e tyre nuk janë gjetur ende.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *