Vendosni fjalën kyçe....

Daçiç: Me sanksione ndaj Rusisë do të dëmtonin veten, i vetmi vend që vë veton ndaj Kosovës


Kryetari i Kuvendit të Serbisë Ivica Daçic i cili kandidon për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, thotë se Beogradi me sanksionet ndaj Rusisë nuk do të dëmtojë Moskën, por interesat e veta.

Siç shkruajnë mediet serbe, Daçiç ka përsëritur se Rusia po ndihmon në mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare të Serbisë. Sepse, siç tha ai, nuk po e lejon Kosovën të “kalojë” nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

“Ne i jemi përjetësisht mirënjohës Rusisë që ngriti zërin kundër rezolutës së Srebrenicës në vitin 2015. Rusia është i vetmi vend që do të vërë veton ndaj njohjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit, ndërsa vendet perëndimore nuk do ta tërheqin njohjen, por do të vazhdojnë të shtyjnë për të. A ia vlen që ne të vendosim sanksione ndaj Rusisë? Ne nuk do ta dëmtojmë Rusinë me këtë, por do të dëmtojmë veten tonë.”– tha Daçiç për TV Prva.

Ai kujtoi se në kuadër të negociatave të para-anëtarësimit në BE, Serbia mori përsipër që gradualisht të harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me bllokun, por shtoi se Beogradi do të “harmonizohet menjëherë” nëse nesër bëhet anëtare e BE-së.

“Është e gabuar të thuhet se dikush është në anën e Rusisë, unë jam në anën e Serbisë, por kushdo që mbron sanksionet kundër Rusisë është kundër interesave serbe.”– tha Daçiç.

Mes të tjerash duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Daçiç përsëriti se “më e mira” për Serbinë është që ai të jetë kryeministër dhe që Aleksandar Vuçiç të vazhdojë të jetë president.

“Besoj se është shumë e rëndësishme për stabilitetin politik të Serbisë në këto kohë të trazuara që timoni që qeveris shtetin të jetë në duar të sigurta. Mendimi im është se është më e mira për Serbinë që Vuçiç të jetë president dhe Daçiç të jetë kryeministër.”-shtoi kreu i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS).