Vendosni fjalën kyçe....

Deklarata nga Rusia: Nuk kemi plan të marrim nën kontroll të plotë centralin bërthamor në Zaporizhia


Drejtori i Përgjithshëm i Rosatom, Alexey Likhachev ka siguruar Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) se Rusia nuk kishte plane për të marrë nën kontroll të plotë termocentralin bërthamor të Ukrainës në Zaporozhia. Rosatom është Korporata Shtetërore e Energjisë Bërthamore në Moskë.

Mbrëmjen e së dielës, organizata tha në një postim në Twitter: “Ukraina i ka thënë IAEA-s: Rusia planifikon të marrë kontrollin e plotë dhe të përhershëm të centralit bërthamor të Zaporizhia nën menaxhimin e Rosatom.”

Më pas shton: “Drejtori i Përgjithshëm i Rosatom në bisedë me shefin e IAEA-s Rafael Grossi e mohoi një qëllim të tillë”.

Siç shkruan agjencia e lajmeve ruse TASS, Likhachev gjithashtu “mohoi që Rosatom të kishte marrë kontrollin operacional dhe as që synonte që uzina të ishte nën ‘sistemin e menaxhimit’ të Rosatom.”

Sipas deklaratës, shefi i Rosatom informoi gjithashtu se “po punohej për të rivendosur linjat e humbura të energjisë të stacionit, por në një mënyrë për të mos vënë në rrezik furnizimet ekzistuese”. Prandaj, furnizimet shtesë të karburantit për gjeneratorët rezervë me naftë ishin duke u futur, në rast se do të nevojiteshin.

Më 12 mars, Rusia njoftoi IAEA-n se “menaxhimi dhe funksionimi i termocentraleve bërthamore në Zaporozhia dhe Çernobil kryhet nga personeli operativ ukrainas”. Por shtohet se: “Një grup prej disa ekspertësh rusë u ofron atyre ndihmë konsultative”.

Nga Ukraina ka patur raporte për zjarr që synonte rezervuarët e centralit bërthamor dhe për shkak të kësaj, drejtori i Përgjithshëm i IAEAs Rafael Grossi kërkoi të garantohet siguria e objekteve bërthamore në Ukrainë dhe të parandalohet ndotja radioaktive.