Vendosni fjalën kyçe....

Sulm me raketa në bazën ushtarake pranë Lviv, në media raportohet për 20 të vrarë


Një sulm me raketa në një bazë ushtarake pranë qytetit të Lviv në Ukrainë ka vrarë 20 persona. Të paktën kështu thanë punonjësit e urgjencës për gazetën britanike “The Guardian”.

Gazetari Luke Harding i cili ndodhet në Yavoriv ku është baza, tha se numri i raportuar i vdekjeve tejkalon atë të shpallur nga guvernatori i rajonit Lviv herët në mëngjes të dielën. Guvernatori Maksym Kozytskyy tha se nëntë persona ishin vrarë në sulmet ajrore në bazën ushtarake të Qendrës Ndërkombëtare të Paqeruajtjes dhe Sigurisë me 57 të plagosur.

Dy shpërthime të mëdha u dëgjuan të dielën në bazën ushtarake në Yavoriv, ​​ vetëm 12 kilometra nga kufiri polak. Sulmi me raketa ndodhi në orën 05:45.

“Xhamat dridheshin. E gjithë shtëpia dridhej. Ishte errësirë. Qielli u ndriçua nga dy shpërthime.”- tha Stepan Chuma, 27 vjeç, një punonjës i urgjencës, i cili nxitoi për në vendngjarje me kolegët e tij.

Ai tha se 20 persona janë konfirmuar të vdekur. Sipas Reuters, nëntëmbëdhjetë ambulanca me sirena u panë duke lëvizur nga drejtimi i bazës.

Shtatë autoambulanca të tjera janë parë duke lëvizur drejt objektit.

Sipas Reuters, më herët të dielën guvernatori Kozytskyy tha se Rusia gjuajti 30 raketa në kompleks.

Ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksii Reznikov tha se instruktorë të huaj ushtarakë punojnë në objekt, por ishte e paqartë nëse ndonjë prej tyre ishte i pranishëm në momentin kur ndodhi sulmi.