Vendosni fjalën kyçe....

Rritet 25% çmimi i bukës, Kryetari i Shoqatës: Më të prekura janë furrat që nuk tregtojnë produkte pastiçerie


Çmimi i bukës masive në disa furra të Tiranës, sipas konstatimeve të Monitor, në terren është rritur 25%. Buka masive e bardhë dhe e zezë nga 80 lekë, po shitet 100 lekë.

Kryetari i Shoqatës së Bukës, Brumërave dhe Pastiçerive, Gëzim Peshkopia, tha për Monitor se nga furrat e bukës mielli po blihet me çmim 85 lekë/kg nga 45-50 lekë/kg që shitej më parë.

Sipas tij rritja e çmimit të miellit të bukës vjen për shkak të dyfishimit të çmimit të grurit të importit. “Rritja e çmimit të bukës nuk është masive në të gjithë tregun. Më të prekur nga rritja e çmimit të miellit nga 45-50 lekë/kg që ishte më parë në 85 lekë/kg janë furrat që nuk tregtojnë produkte pastiçerie, por vetëm bukë.

Më të prekura janë furrat e vogla të bukës që nuk furnizohen nga fabrikat e blojës me miell ku çmimi është 4 lekë më pak. Rritja e çmimit të miellit është ndikuar nga rritja e çmimit të grurit në tregjet e huaja. Grosistët kanë përfunduar kontratat e furnizimit me grurë me çmimin 250 USD/ ton, tani po furnizohen me çmim 500-600 USD/ton”.

Kryetari i Shoqatës të Bukës dhe Brumërave nënvizon se aktualisht nuk ka mungesë të furnizimit me miell për furrat e bukës. “Të gjithë duhet të mbajnë hapur furrat e bukës. Furnizimi i popullatës me produkte buke duhet të jetë prioritet për furrat, pavarësisht kostos të shtrenjtuar, ashtu siç ndodhi edhe në pandemi”, nënvizon z.Peshkopia.

Operatorë të tregut parashikojnë tjetër shtrenjtim të çmimit të miellit për furrat e bukës në 90 lekë/kg. Çmimi i bukës shënoi rritje edhe në muajin shtator 14% për shkak të shtrenjtimit të çmimit të grurit nga rritja e kërkesës pas pandemisë.

Në dyqanet e produkteve ushqimore për muajin mars mielli po tregtohet 20% më shumë.

1 kg miell “Primo” për muajin mars u shit 100 lekë nga 80 lekë/kg që shitej në muajin shkurt. Çmimet e shitjes janë të njëjta edhe për miellin “Mokra” 70-80 kg po shitet 100 lekë.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al