Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: S’do jem në krah të Berishës, por do mbështes kandidatët, synimi ynë është mundja e Edi Ramës në zgjedhjet lokale


Deputeti i PD-së Bardhi ka dhënë më shumë hollësi lidhur me takimin e sotëm me kreun e Këshillit Kombëtar të PD-së, Paloka.

I ftuar në emisionin Open në News24, ai tha se palët po zhvillojnë bisedime për të arritur bashkëpunimin për sa i përket daljes me një kandidat në zgjedhjet lokale të vitit 2023.

“Nuk fola për qëndrimin e Palokës së për qëndrimin e tij flet vetë. Njëanshmëri do të thotë që sot kemi nisur një proces bisedimesh. Një javë më parë u mandatova për bisedime me Palokën për mundësitë për të dalë me një kandidat të vetëm. Kemi qenë të gatshëm për bashkëpunim që atë ditë. Ramë dakord që do shkojmë në bisedime, nuk dua t’i quaj negociata, pa vendosur e pa pranuar kushte. Morëm konfirmim publik nga ana tjetër që edhe ata nuk do të vendosin kushte. Kur informoja grupin për takimin me Palokën, sepse kam marrë një mandat nga kolegët dhe kam detyrimin për transparencë, kolegët më informuan që kishin vijuar një proces të nisur ndërkohë që ne sapo ishim vendosur në bisedime. Kam kërkuar mos dalim në konkluzione gjatë ditës së sotme. bisedimet duhet të vijojnë. Kur themi që bisedimet duhen pa kushte, palët nuk duhet të qendrojnë në qëndrime të ngurta. Nuk dua të quaj akt të njëanshëm atë që ka ndodhur. Me Palokën folëm mbi versionet e mënyrat si të dalim me kandidat të përbashkët. Në parim askush nuk ka asgjë kundër votës në PD por duhet një analizë e thellë mbi situatën ku jemi.” – tha ai.

Po kështu ai theksoi se nëse demokratët qëndrojnë të ngurtë në pozicionet e tyre, fituesi i madh do ishte Edi Rama.

“Unë nuk dua të bëj negociata në televizion. Nëse jap opsionet këtu nuk kam pse të ulem në tavolinë. E rëndësishme është që të biem dakord që nuk ka kushte dhe të bëjmë teatër për demokratët. Nëse ne biem dakord, po jemi të hapur, nuk jemi të ngurtë në pozicionet që kemi pasur deri tani sepse interesi është të bashkojmë demokratët, z.Paloka mund të vijë me disa opsione dhe unë mund të shkoj me disa opsione. Unë e z. Paloka nuk shprehëm qëndrime, nuk u pozicionuam. Kemi një objektiv si mundet Edi Rama dhe kemi bërë një bisedë mes kolegësh si arrihet ky objektiv. Nuk kemi mbajtur qëndrime. Po përpiqemi të gjejmë një mekanizëm që bën bashkë demokratët.” – shtoi Bardhi.

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD-së tha gjithashtu se kampi që përfaqëson nuk ka hequr dorë nga çështjet që i ndajnë siç është non grata e Berishës nga SHBA-ja ndërsa shtoi se nuk ka qenë dhe nuk është në krah të Berishës, po do jetë në krah të kandidatëve për zgjedhjet lokale.

“Nuk ka ndryshim qëndrimi për çështjes që na ndajnë, nuk ka kushte për çështjet që na bashkojnë. Halli që na bashkon për zgjedhjet lokale është si të mundin 61 kandidatët tanë, 61 kandidatët e Ramës. Në primare nuk ka nevojë për ftesë dhe as për leje. Nëse dua unë shkoj. Unë do jem në krahë të liderëve lokalë në këtë fushatë. Po flasim për kandidatë të përbashkët. Nuk është e vërtetë. Nuk kam qenë në krah të Sali Berishës për shkak të problemit që ka me SHBA. Nuk kam qenë në krah të Berishës dhe nuk do jem, por kjo nuk më pengon të jem në krahë të kandidatëve. E rëndësishme që demokratët të bëhen bashkë, të bashkëpunojnë në nivel lokal dhe të mundin Ramën.” – tha Bardhi.