Vendosni fjalën kyçe....

Hungaria zgjedh presidenten e parë grua


Katalin Novák zgjidhet presidentja e parë grua e Hungarisë.

Siç shkruan Euroneës, ajo mori 137 vota nga deputetët ditën e sotme përballë 51 votave për rivalin e saj ekonomistin Péter Róna.

44-vjeçarja është një mbështetëse besnike e kryeministrit Viktor Orbán dhe më parë ka shërbyer si ministre e Rinisë dhe Familjes së Hungarisë.

“Pra, Zoti më ndihmoftë.”- tha Novák pasi fitoi mbështetjen e deputetëve në Parlament, ndërsa dënoi gjithashtu pushtimin rus të Ukrainës si “të papranueshëm”.

Ajo kishte qenë favoritja për të fituar, duke qenë se partia Fidesz e Orbanit ka shumicën në parlamentin hungarez.

Novák ka mbrojtur vlerat tradicionale familjare të Hungarisë dhe ka mbajtur një fjalim pasionante para deputetëve përpara votimit.

Emërimi i saj vjen më pak se një muaj para zgjedhjeve parlamentare të Hungarisë, të cilat pritet të jenë të afërta.

Gjashtë partitë opozitare kanë krijuar një aleancë të paprecedentë me shpresën për të rrëzuar Fidesz dhe Orbanin, i cili është kritikuar për sulmin ndaj shtetit të së drejtës që nga viti 2010.

Lideri i opozitës Peter Marki-Zay ka thënë se Novak ishte “e papërshtatshme” për postin e presidentes për shkak të afërsisë së saj me kryeministrin hungarez.

Paraardhësi i saj Janos Ader ishte vetë bashkëthemelues i Fidesz dhe kishte mbajtur Presidencën që nga viti 2012.

Katalin Novák do të mbajë një mandat pesë-vjeçar si presidente e Hungarisë, ku ajo ka fuqinë të bllokojë përkohësisht ligjet dhe të thërrasë referendume.