Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria ruse miraton listën e vendeve dhe territoreve jomiqësore, mes tyre edhe Shqipëria


Qeveria e Federatës Ruse ka miratuar këtë të hënë një listë të shteteve dhe territoreve të huaja që kryejnë veprime jomiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj.

Siç shkruan TASS, në këtë listë përfshihen: Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, shtetet e BE-së, Mbretëria e Bashkuar (bashkë me Jersey, Anguilla, Ishujt e Virgjër Britanikë, Gjibraltarrin), Ukraina, Mali i Zi, Zvicra, Shqipëria, Andorra, Islanda, Lihtenshtajn, Monako, Norvegjia, San Marino, Maqedonia e Veriut, dhe gjithashtu Japonia, Koreja e Jugut, Australia, Mikronezia, Zelanda e Re, Singapori dhe Tajvani (i konsideruar si një territor i Kinës, por me administratën e vet që nga viti 1949).

Vendet dhe territoret e përmendura në listë vendosën ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë pas fillimit të operacionit special ushtarak të Forcave të Armatosura Ruse në Ukrainë.

TASS shkruan se qeveria vuri në dukje se sipas këtij dekreti, qytetarët dhe kompanitë ruse, vetë shteti, rajonet dhe bashkitë e tij që kanë detyrime valutore ndaj kreditorëve të huaj nga lista e vendeve jomiqësore do të jenë në gjendje t’i paguajnë ato në rubla. Procedura e re e përkohshme zbatohet për pagesat që kalojnë 10 milionë rubla në muaj (ose një shumë të ngjashme në valutë të huaj).