Vendosni fjalën kyçe....

Sot zgjedhjet lokale – Rreth 650 mijë qytetarë u drejtohen kutive të votimit në 6 bashki të vendit


Këtë të dielë mbahen zgjedhjet në gjashtë bashkitë pa kryetar: Shkodër, Dibër, Vorë, Durrës, Rrogozhinë dhe Lushnjë.

Në këto zgjedhje garojnë gjithsej 19 kandidatë për kryetar bashkie. 

Sipas KQZ-së në 6 bashkitë janë 648 576 qytetarë me të drejtë vote të cilët do të zgjedhin mes kandidatëve të paraqitur nga: PS, PD dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë”. Dibra është e vetmja bashki ku qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin mes 4 kandidatëve, pasi do të ketë edhe një kandidat të partisë “Lëvizja e Re”.

SHKODËR: 

Kjo bashki është prej vitit 2019 pa kryetar të zgjedhur, pasi Valdrin Pjetri, e humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Detyrën e ushtron kryetarja e vjetër e bashkisë, Voltana Ademi.

Shkodra pritet të jetë beteja më e fortë e këtyre zgjedhjeve edhe për shkak se është një bastion historik i PD-së, e cila e ka fituar bashkinë në çdo betejë elektorale pas vitit 1990.

Në këto zgjedhje kandidojnë: Majlinda Angoni (PS), Xhemal Bushati (PD) dhe Bardh Spahia (Shtëpia e Lirisë).

VORË

Edhe bashkia e Vorës ka mbetur pa kryetar për shkak të dekriminalizimit që prej datës 1 nëntor 2019. Sot për bashkinë e Vorës garojnë Ymer Marku (PD) Blerim Shera (PS) dhe Lulzim Vrana (Shtëpia e Lirisë)

DURRËS

Rasti i Durrësit është i ndryshëm nga dy rastet e lartpërmendura. Valbona Sako u dorëhoq si kryebashkiake e Durrësit në 1 dhjetor 2019, pak ditë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Sot për drejtimin e kësaj bashkie, të konsideruar si bastion i PS-së garojnë: Emirjana Sako (PS), Luan Hoti (PD) dhe Ardian Muka (Shtëpia e Lirisë).

DIBËR 

Dionis Imeraj dha dorëheqjen më 8 mars 2021, pasi vendosi të kandidonte për deputet në zgjedhjet e 25 Prillit.

Bashkia Dibër është e vetmja bashki ku qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin mes 4 kandidatëve, ku krahas PS-së, PD-së dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë” (Rrahim Spahiun, Luan Haka dhe Premtim Kryemadhi) do të ketë edhe një kandidat të partisë “Lëvizja e Re”, Dritan Torba.

RROGOZHINË

Kryebashkiaku i Rrogozhinës Haxhi Memolla, u nda nga jeta në moshën 52-vjeçare më 22 shkurt 2020. Kjo është arsyeja se pse po zhvillohen sot zgjedhjet për kryetar edhe në këtë bashki.

Këtë të dielë kandidojnë Edison Memolla (PS), Ferdinand Saraçi (PD) dhe Hekuran Xhani (Shtëpia e Lirisë).

LUSHNJË

Fatos Tushe u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Lushnjës me vendim qeverie që prej datës 7 korrik 2021pasi u mor i pandehur nga SPAK për korrupsion.

Pa një kryetar disa muajsh, sot qytetarët e Lushnjës zgjedhin mes Eriselda Sefës (PS), Indrit Sefës (PD) dhe Elton Banos (Shtëpia e Lirisë)/Hashtag.al