Vendosni fjalën kyçe....

Balla për Bllakon: S’jam i gëzuar, por PS ka vendosur vijën e kuqe, s’bëhet mburojë për askënd


Ka përfunduar pas më shumë se një ore takimi i kryeministrit Edi Rama me ministrat e kabinetit qeveritar në vilën 31.

Ky takim u mbajt pas kërkesës së SPAK në Kuvend për autorizimin për arrestimin e deputetit të PS-së Alqi Bllako, i akuzuar për lidhje me skandalin e inceneratorit të Fierit.

Pas mbledhjes, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla doli në një deklaratë për mediet, ku u shpreh se nuk ndihet i gëzuar për zhvillimet e fundit, por theksoi se PS ka vendosur një vijë të kuqe dhe s’do bëhet mburojë për askënd.

“Si ndihem?! Nuk jam i gëzuar për askënd për të cilin kërkohet masë sigurie ‘arrest me burg’, në aspekt njerëzor, si koleg cilido qoftë krahu i kolegut, s’jam i gëzuar. Por ka një aspekt tjetër që besoj se biem të gjithë dakord, që të vendoset para drejtësisë cilido, një gjë të jetë e qartë për të gjithë dhe këdo, pikësëpari brenda PS.

Po ashtu një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë dhe për këdo, PS ka vendosur një vijë të kuqe me këdo që drejtësia kërkon apo vendos një masë sigurie, ose sjell në kuvend një kërkesë për hetime apo çështje të tjera, vija e kuqe është që PS nuk është mburojë për askënd dhe kjo do të jetë një vijë e kuqe për këdo dhe do vijojmë të mbajmë të njëjtin qëndrim që kemi mbajtur për këdo kur jemi vendosur para një situate të tillë. PS e thashë që nuk do të jetë dhe nuk ka qenë asnjëherë zyrë avokatie për askënd brenda saj që vendoset në një përballje me drejtësinë.”- deklaroi Balla.