Vendosni fjalën kyçe....

Zbardhet telefonata/ Putini ia bën të qartë Macronit: Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë


Zbardhet biseda telefonike mes presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe atij të Rusisë, Vladimir Putini.

TASS shkruan se ky i fundit i ka thënë homologut të tij francez se Rusia do ta çmilitarizojë me sukses Ukrainën dhe do ta bëjë atë neutrale. Putin tha gjithashtu se çdo përpjekje e Ukrainës për të vonuar negociatat do të rezultonte vetëm në shtimin e kërkesave në listën e Rusisë.

“U theksua se detyrat e operacionit special ushtarak do të përmbushen në çdo rast dhe përpjekjet për të fituar kohë duke zvarritur negociatat do të çojnë vetëm në kërkesa shtesë ndaj Kievit në pozicionin tonë negociues.”– thuhet në raporton e Kremlinit sipas TASS.

Putin gjithashtu i tha Macron se ai nuk ishte dakord me një fjalim që lideri francez mbajti dje, në të cilin ai e konsideroi presidentin rus përgjegjësin e vetëm për fillimin e luftës.

Presidenti i Rusisë i bëri thirrje gjithashtu homologut të tij francez që të marrë pjesë në sigurimin e evakuimit të sigurt të të huajve nga Ukraina.

“Është konfirmuar gatishmëria e palës ruse për të bashkëpunuar me partnerët e huaj për të zgjidhur problemet akute humanitare.”- njoftoi shërbimi për shtyp i Presidentit të Federatës Ruse për përmbajtjen e bisedës telefonike të liderëve. Sipas njoftimit, “Putin i bëri thirrje Presidentit të Francës që t’u bashkohet përpjekjeve për të siguruar evakuimin e sigurt të shtetasve të huaj nga territori i Ukrainës”.

Në të njëjtën kohë, kreu i shtetit rus “përmendi, në veçanti, një grup të madh studentësh indianë në Kharkov, të cilët forcat e sigurisë ukrainase praktikisht i mbajnë peng”.