Vendosni fjalën kyçe....

Macron: Zgjedh të mbetem në kontakt me Putinin, do e bind të ulë armët


Presidenti francez Emmanuel Macron e ka dënuar “luftën e papërfillshme” të Vladimir Putinit kundër Ukrainës, por pavarësisht kësaj ai tha se do të mbante linja të hapura komunikimi me presidentin rus në përpjekje për ta bindur atë të ndalojë ofensivën e tij ushtarake.

“Është vetëm dhe në mënyrë të qëllimshme që, duke hequr dorë nga angazhimet e tij të mëparshme… Presidenti Putin ka zgjedhur luftën.”– tha presidenti francez në një fjalim televiziv të mërkurën në mbrëmje.

Macron kundërshtoi narrativën e Putinit se lufta ishte një lëvizje mbrojtëse kundër zgjerimit lindor të NATO-s.

“Kjo luftë nuk është një konflikt midis NATO-s dhe Perëndimit nga njëra anë, dhe Rusisë nga ana tjetër… nuk ka trupa apo baza të NATO-s në Ukrainë. Këto janë gënjeshtra.”- tha Macron, citon Politico.eu. “Rusia nuk po agresohet, ajo është agresore”.

Ndërsa dënoi ashpër aktet e Putinit, presidenti francez tha se do të mbante një linjë të hapur komunikimi me Kremlinin në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e konfliktit.

“Zgjodha të qëndroj në kontakt sa më shumë që të mundem dhe aq sa është e nevojshme me Presidentin Putin për t’u përpjekur ta bind atë të ulë armët … dhe të parandalojë përhapjen dhe zgjerimin e konfliktit.”- u shpreh Macron, i cili u kërkoi medieve të bënin një dallim midis presidentit rus dhe popullit të tij.