Vendosni fjalën kyçe....

Basha nga Dibra: Në Ukrainë po zhvillohet lufta mes së mirës dhe të keqes, në çdo rast Shqipërinë e mbron SHBA-ja


Kreu i PD-së Basha ka deklaruar nga Dibra, ku ndodhet në mbyllje të fushatës për zgjedhjet e 6 marsit, se pushtimi rus ndaj Ukrainës është një kërcënim që po i bëhet mbarë botës demokratike.

Gjatë fjalës së tij para dibranëve që ishin mbledhur për ta pritur ai theksoi se lufta në Ukrainë është betejë mes së mirës dhe të keqes dhe është një betejë të cilën Dibra e njeh mirë.

“Dibra me të vërtetë ka dekada që mbahet e izoluar, pa infrastrukturë, por dibranët e ndodhur kudo anembanë botës dhe këtu në djepin e mençurisë së tyre legjendare, kurrë nuk kanë qenë të izoluar nga ngjarjet që ndodhin anembanë botës. Dhe një nga këto ngjarje padiskutim, e cila po gdhend me shpejtësi atë që do të ndodh në javët, në muajt, në vitet në vazhdim, një nga këto momente të rëndësishme është pushtimi që po i bën Rusia Ukrainës. Ky është një kërcënim për mbarë botën demokratike. Është një betejë midis të keqes dhe të mirës. Ky është kërcënim për mbarë botën. Betejë midis të keqes dhe të mirës. Është betejë që Dibra e njeh shumë mirë. Me numra më të vegjël se ushtritë pushtuese, është gjendur në lufta të pabarabarta, duke luftuar kundër shumë krajilijve, por ia kemi dalë të mbrojmë Dibrën.” – tha Basha.

Kryedemokrati shtoi më tej Rusia mund të destabilizojë rajonin përmes Serbisë por u shpreh i bindur se Shqipëria është e mbrojtur në çdo rast pasi çdo sulm ndaj saj është sulm ndaj SHBA-së.

Basha tha se qeveria duhet të ndalë menjëherë pagesat për inceneratorët e të marrë masa për uljen e çmimit të karburantit.

“Ngjarjet që po ndodhin në Ukrainë. Mund të destabilizojnë dhe rajonin, përmes aleatit që Rusisë, që i kanë lënë shpesh shapkat shpesh në bregun e Drinit. Aleati i tyre që u nda nga bota demokratike dhe refuzoi ta dënonte agresorin. Sot ka një dallim të madh, pasi ka vite që shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë, janë të bekuar me një aleat si SHBA. Çdo sulm kundër Shqipërisë, është sulm ndaj SHBA-ve. Ne jemi të mbrojtur në çdo rast. Detyra jonë si PD është që qëndrojmë ashtu siç kemi lindur, partnerë të SHBA-ve. Të tillë kemi lindur dhe do vazhdojmë dhe të tillë do të ecim para me zgjedhjet që do të bëjmë dhe këtë të diel. Kjo situatë e krijuar me sulmin në Ukrainë, do të ndikojë në vendin tonë, siç është çmimi i karburantit. Thirrja ime e drejtuar kësaj qeverie është që të marrë masat e menjëhershme. Të ndalë pagesat korruptive të inceneratorëve, që ishte një aferë e pastër korruptive. Plot 430 mln euro kanë shkuar në xhepat e qeveritarëve. Çdo duhet t’u kthejë shqiptarëve paratë. Kjo është beteja jonë. Ky është modeli ynë.” – shtoi Basha.