Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi dhe Berisha bashkë në Dibër për fushatë: Vota për kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” hap rrugën për zgjedhje të parakohshme


Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi mori pjesë sot në një takim me qytetarë dhe intelektualë të Dibrës, ku i pranishëm ishte edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Gjatë fjalës së saj, zonja Kryemadhi u bëri thirrje dibranëve që të votojnë për kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” Premtim Kryemadhin.

“Sot Dibra ka retë e zeza mbi kokë. Shpopullimi që i ka ndodhur Dibrës po e varfëron vendin. Varfëria në njerëz është më e madhe se varfëria materiale.

Si mund të kërkoj votën për Premtim Kryemadhin?! Nuk është turp, është detyrë të kërkosh votën për njeriun tënd, pavarësisht se jemi në parti të ndryshme. Rilindja e ka kthyer fjalën ‘familje’ në diçka të turpshme. Por familja është e shenjtë. Ata që nuk duan familjen, nuk kanë se si të duan shqiptarët e dibranët.

Për Premtim Kryemadhin e kam detyrim familjar të kërkoj votën. E kam detyrim krahinor. Dua t’u bëj thirrje të gjithë dibranëve në Tiranë dhe Durrës, por edhe ata që janë emigrantë, të bëjnë thirrje për të votuar Premtim Kryemadhin. Por edhe të votojnë për Ardian Mukën sepse jemi kaq shumë dhe duhet të mblidhemi për të larguar retë e zeza mbi kokën tonë.”– u shpreh Kryemadhi.

Ndërsa ish-kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh se vota për Premtim Kryemadhin dhe “Shtëpinë e Lirisë” hap rrugën për zgjedhjet e parakohshme dhe rikthimin e PD-së në pushtet.

“Votoni Premtim Kryemadhin, votoni për bashkinë tuaj. Votoni për të hapur dyert për zgjedhjet e reja të parakohshme dhe rikthimin e PD-së në pushtet.

U bëj thirrje shqiptarëve kudo që janë që gjatë këtyre tre ditëve të bëjmë gjithçka që njerëzit të votojnë më 6 mars për kandidatët e Shtëpisë së Lirisë, të votojnë për ndryshimin, të votojnë për fitoren e PD dhe zgjedhjet e reja parlamentare dhe rikthimin në pushtet.”– tha Berisha.