Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina do furnizohet me 70 avionë luftarakë nga Polonia, Bullgaria e Sllovakia


Tre vende të NATO-s do të dorëzojnë më shumë se 70 avionë luftarakë për Kievin, njoftuan përfaqësuesit e ushtrisë ukrainase të martën në mëngjes.

Sipas një deklarate të publikuar në Facebook, Polonia, Bullgaria dhe Sllovakia do të ofrojnë mbi 70 avionë MiG-29 dhe SU-25.

Gjashtëmbëdhjetë avionë MiG-29 dhe 14 SU-25 do të sigurohen nga Bullgaria. Polonia do të dërgojë 28 avionë luftarakë MiG-29 dhe Sllovakia mund të dorëzojë 12 avionë MiG-29, thanë zyrtarët.

“Partnerët tanë na dhanë MiG-29 dhe SU-25. Nëse është e nevojshme, ato mund të ulen në pistat ajrore polake nga të cilat pilotët ukrainas mund të kryejnë misione luftarake”, thuhet në deklaratë, duke sugjeruar gjithashtu se së shpejti do të ketë më shumë ‘Fantazma të Kievit’.

‘Fantazma e Kievit’ u bë një legjendë mediatike pas raportimeve se një pilot ukrainas ‘arriti të rrëzonte i vetëm 6 avionë luftarakë rusë’. Megjithatë, pamjet që tregojnë ‘Ghost’ u zbuluan shpejt se ishin një klip nga ‘Digital Combat Simulator’.