Vendosni fjalën kyçe....

Si do e ndikojë ekonominë e Shqipërisë lufta në Ukrainë


Nga Endrit Yzeiraj

Teksa mbyllej dita e parë e sulmit rus ndaj Ukrainës, një grup qytetarësh shqiptarë vendosën të protestonin përpara Ambasadës së Rusisë në Tiranë. Kuptohet se veprimi ishte simbolik. Gjasat që Shqipëria të ndikojë në këtë konflikt janë zero.

Në të kundërt, lufta e sapo nisur ka gjasa të ndikojë edhe mbi Shqipërinë. Protesta mbase duhet parë si shenja e parë që edhe qytetarët shqiptarë e kuptojnë se kjo luftë po ndryshon botën që njohim dhe efektet e saj do ndihen për shumë e shumë kohë më pas edhe në vendin e rajonin tonë.

Ndikimi më i madh afatshkurtër do jetë ai ekonomik.

Rusia është ekonomia e 11-të më e madhe e botës. Është një nga eksportueset kryesore të gazit dhe naftës, sidomos për tregun evropian. Po ashtu, është ndër eksportuesit kryesorë të lëndëve minerale si hekur, çelik dhe alumin. Së bashku me Ukrainën, janë dy nga eksportueset kryesore të grurit  dhe drithërave të tjera – Rusia në vend të parë, Ukrainë e 5-ta.

Importi i gazit rus në Evropë

Në pamje të parë, tregtia direkte e Shqipërisë me secilin vend është relativisht e limituar. Import-eksportet me Ukrainën nuk i kalojnë vlerën e $30 milion dollarëve. Tregtia me Rusinë është pak më e madhe, në vlerë totale prej thuajse $125 milion dollarë. Në krahasim me shtetet kryesore me të cilat Shqipëria tregton, këto janë vlera thuajse të papërfillshme.

Por po të shohim pak më thellë, tregtia e Shqipërisë me secilin vend është e përqendruar në disa produkte jetike. Rusia dominon importin e grurit në Shqipëri, aq jetik për dietën tipike shqiptare dhe sidomos të shtresave në nevojë.

Thuajse 80% e grurit që hyn në Shqipëri importohet nga Rusia. Po ashtu, Shqipëria importon thuajse 20% të gazit nga Rusia, më shumë se nga cilido vend tjetër, por vetëm 2% të naftës së rafinuar. Ukraina ndërkohë është kthyer në një nga burimet kryesore të vizitorëve në vend, duke ndihmuar kështu sektorin jetik të turizmit.

Importi i grurit në Shqipëri sipas vendeve partnere

Mbi të gjitha, produktet që Ukraina dhe Rusia eksportojnë shiten në tregje ndërkombëtare. Çmimi i tyre përcaktohet nga oferta dhe kërkesa në botë. Zvogëlimi i ofertës për këto produkte në tregje ndërkombëtare do të ndikojë në çmimin e tyre edhe në vende ku ato nuk tregtojnë në mënyrë direkte. Mbi të gjitha, çmimi i hidrokarbureve që furnizon anijet, trenat apo kamionët me të cilat transportohet çdo produkt në botë eventualisht ndikon në nivelin e përgjithshëm të çmimeve.

Është ende herët për të parë se sa do ndikohen furnizimi i tregjeve botërore por gjasat janë që efekti nuk do jetë i vogël. Së pari, lufta dhe dëmet e shkaktuara rrezikojnë të bllokojnë ose dëmtojnë infrastrukturën e transportit. Së dyti, sanksionet ndaj Rusisë, të cilat po zgjerohen nga dita në ditë, do kenë efektin e tyre në ngadalësimin e tregtisë.

Siç e kemi shkruar më parë, ekonomia botërore dhe shqiptare po përballen me rritje të nivelit çmimeve, e shkaktuar kryesiht nga shumë prej produkteve të sipërpërmendura. Vështirësitë e furnizimit me hidrokarbure dhe drithëra vetëm sa do rrisë presionin mbi çmimet, të cilat po rriteshin edhe pa efektet e luftës. Kjo do shkaktojë vështirësi kudo, por më shumë në vende të varfra apo në zhvillim si Shqipëria.

Teksa në vendet e zhvilluara, konsumi i ushqimit zë rreth 10% të shpenzimeve mesatare mujore, kjo shifër arrin në thuajse 40% në Shqipëri. Çmimet e naftës, që kanë arritur nivele rekord në Shqipëri në muajt e parë të 2022-shit, rrezikojnë të rriten shumë më shumë po ashtu. Për shtresat në nevojë, aq shumë të prekura nga rritja e çmimeve deri më sot, kjo vlerë është edhe më e lartë. 

Çmimet e naftës dhe gazit në Shqipëri, në lek

Efektet afatgjata, mbase edhe më të rëndësishme për Shqipërinë, janë gjeopolitike.

Lufta në Ukrainë është e ndryshme nga thuajse çdo konflikt tjetër pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë këtyre tetë dekadave bota ka parë plot konflikte të brendshme. Janë zhvilluar plot përplasje dhe aneksime për zona kufitare mes shtetesh rivale.

Por që nga Lufta e Dytë, njerëzimi nuk kishte parë një prej fuqive kryesore ushtarake në botë të tentonte të pushtonte në mënyrë totale një vend fqinj, e të ndryshonte kaq dhunshëm kufijtë. Aq më pak mendohej se kjo mund të ndodhte në Evropë, disa qindra kilometra larg kryeqyteteve të disa prej vendeve më të zhvilluara dhe të fuqishme të botës.

Një nga supozimet bazë të rendit politik dhe ekonomik pas Luftës së Dytë ishte pikërisht se vendet e fuqishme nuk do silleshin më në këtë mënyrë. Mund të kishte presione ndaj vendeve më të vogla, mund të kishte përfshirje në proceset e brendshme politike, por jo pushtim total. Sot ky supozim ka rënë poshtë.

Po ashtu ka rënë poshtë besimi universal se Perëndimi është në gjendje të parandalojë ngjarje të tilla. E gjitha kjo do sjellë të paktën dy ndikime të mëdha në sjelljen e shteteve dhe agjentëve ekonomik.

Së pari, shtetet kudo në botë do të fillojnë të shpenzojnë më shumë për ushtritë e tyre. Tashmë që lufta nuk duket më iluzion utopik, nevoja për të përmirësuar aftësitë vetëmbrojtëse do jetë kritike për shtet. Sidomos në Evropë, ëndrrat utopike për paqe të përhershme të garantuar nga SHBA, duket se po marrin fund.

Kontinenti duhet të mbrohet, dhe vendet kryesore evropiane duhet të jenë liderët e procesit. Nga ana tjetër, garat e armatimit mes shteteve mbartin rreziqe qoftë për konflikte të reja mes tyre e qoftë për shtimin e represionit ndaj popullsisë vendase nga liderët autokrat.

Shpenzimet ushtarake në disa shtete kryeore evropian, në rënie konstante prej 70 vitesh

Për sa na takon ne, duhet pranuar haptazi se Shqipëria është tërësisht e papërgatitur për këto sfida. Shpenzimet ushtarake janë në nivele qesharake, qoftë në total e qoftë në raport me PBB. Ndër vendet e NATO-s, në vlerë totale vetëm Mali i Zi shpenzon më pak.

Vendi i 3-të nga fundi, Luksemburgu, shpenzon më shumë se dyfishin tonë! Nëse supozimi i mbrojtjes nga NATO dhe Perëndimi nuk është më i vlefshëm, Shqipëria duhet të rimendojë thellë strategjinë e mbrojtjes së saj pasi sot nuk ka një të tillë.

Së dyti, tregtia botërore, që kishte lulëzuar pas Luftës së Dytë e kishte shpërthyer pas rrëzimit të komunizmit, do të vihet në pikëpyetje. Nëse Perëndimi nuk është në gjendje të sigurojë kufijtë, nëse vendet e vogla mund të pushtohen lehtësisht, nëse rrugët e transportit mund të bllokohen nga këto konflikte, a është e leverdishme të investosh në fabrika dhe zyra në këto vende?

Shumica e kompanive të mëdha ndërkombëtarë kanë ndërtuar rrjete globale të furnizimit me lëndë të parë dhe të prodhimit të produkteve nën supozimin se rendi i sigurisë globale është i paprekshëm. Çdo investitor sot po e rimendon këtë supozim.

Fatkeqësisht, efektet pozitive të tregtisë nënvlerësohen në diskutimet e shumta publike, por është pikërisht ajo burimi kryesor i mirëqenies ekonomike përgjatë 30 viteve të fundit për vende si Shqipëria. Tregtia sjell produkte më të lira e më të mira për konsumatorët. Ajo shtyn prodhuesit lokal të jenë më konkurrues, të investojnë në teknologji e në kapital njerëzor.

Falë tregtisë ndërkombëtare vende si Shqipëria kanë akses në makineri e teknologji, të cilat përdoren më pas në procese prodhimi, që nuk do ishin në gjendje ti prodhonin vetë. Mbi të gjitha, tregtia dhe investimet e huaja sjellin njohuri dhe aftësi në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë. Pa këto burime, e vogël dhe e izoluar, ekonomia jonë do të rikthehej shumë shpejt në nivelet ku gjendej para viteve 90.

Në një studim të vitit 2013, i ngritur mbi punën fiilestarë të tezës së masterit, gjej se është pikërisht rritja e vëllimeve tregtare pas vititi 1990 që parapriu rritjen ekonomike në të gjithë Evropën Lindore.

Ky efekt është parë edhe në plot rajone të tjera të botës të cilat janë integruar me ekonominë botërorë, kryesisht në Azinë Lindore dhe Juglindore. E gjitha kjo ka sjellë një zvogëlim të hendekut ekonomik mes vendeve të botës së zhvilluar dhe vendeve në zhvillim. Spostimi masiv i industrive në vendet në zhvillim ka krijuar shumë fitues, por edhe pak humbës, duke qene mbase burimi kryesor i populizmit social e politik në vendet e zhvilluara.

Investimet e huaja në Shqipëri prej vitesh janë në rënie. Investitorë të rëndësishëm janë larguar nga thuajse të gjithë sektorët strategjik – bankat, telekomunikacionet, transporti, energjia, industria. Këto kompani janë zëvendësuar shpesh me kompani lokale që nuk kanë aspak burimet apo njohuri të krahasueshme.

Hipoteza kryesore për të shpjeguar këtë fenomen është korrupsioni dhe kapja e tregjeve në Shqipëri nga individë me mbështetje politike lokale. Edhe vetë FMN, e kujdesshme për të mos prekur tema të tilla, në raportin e fundit për vendin e pranon haptazi se probleme ligjore dhe politike po e bëjnë më të pasigurt investimin në Shqipëri. 

Besoj se është e qartë çfarë do të ndodhtë nëse këtyre problemeve i shtohej dhe pasiguria e kufijve. Edhe ajo pak industri e brendshme e orientuar për eksport – kryesisht fasoneri e veshmbathjeve – do të zhbëhej brenda ditës duke humbur çdo avantazh të mbetur të vendit.

Profili i eksporteve shqiptare

Lufta në Ukrainë është moment kritik në historinë e Evropës dhe mbarë botës. Direkt dhe indirekt Shqipëria do të preket prej saj. Shumë prej supozimeve që kanë përcjellë vendin këto 30 vjet janë në pikëpyetje. Teksa bota mendon se si t’u përgjigjet sfidave të reja, nuk është vonë që edhe politikë-bërësit tanë të bëjnë të njëjtën veprim.

Shënim: Një version i përmbledhur i artikullit gjendet në editorialin e Revistës Monitori

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ekon.al