Vendosni fjalën kyçe....

Kosova vendos strehimin e 20 gazetarëve ukrainas


Qeveria e Kosovës ka vendosur që të strehojë 20 gazetarë ukrainas të cilët kanë ikur nga shteti pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Twitter e konfirmoi lajmin, duke thënë se këtyre gazetarëve do t’iu mundësohet të punojnë nga distanca.

Njoftimi vjen pasi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kërkoi nga ekzekutivi që të ndajë 150,000 euro për pranimin e tyre, u tha në një dokument të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë. Këta gazetarë do të lirohen nga vizat për të hyrë në Kosovë.

Shuma prej 150,000 eurosh do të përdoret për të mbuluar shpenzimet e qirasë, zyrave, sigurimeve shëndetësore, pagesës mujore dhe shpenzimeve të transportit për gazetarët ukrainas, për një periudhë 6-mujore.

Sipas dokumentit, përzgjedhja e gazetarëve që do të strehohen në Kosovë do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës. Por, prioritet do t’u jepet gazetareve.

Kosova i është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian duke vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, e cila nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.