Vendosni fjalën kyçe....

Vendi aziatik do punësojë njerëz të famshëm për të nxitur shtatzëninë


Zëvendësministri i Shëndetësisë i Tajlandës ka thënë se qeveria e tij do të punësojë të famshëm dhe ndikues për të nxitur çiftet e reja që të kenë fëmijë.

Politika është një nga disa masa pronatale që po ndërmerren nga qeveria tajlandeze, ndërsa vendi përballet me pasojat e një fushate për të ulur normat e lindjeve në vitet 1970.

Në një intervistë të botuar nga gazeta tajlandeze Khaosod, zëvendësministri i Shëndetit Publik Satit Pitutecha tha se sjellja e këtyre ndikuesve është ‘vetëm një shembull i një ndryshimi në vlera’ që qeveria po përqafon.

“Ne duhet të komunikojmë përmes njerëzve me ndikim në të gjitha sferat e jetës se koncepti i të pasurit një fëmijë të lumtur është një ide e mirë”, tha Pitutecha.

Masat e tjera të theksuara nga ministri përfshijnë kontrollet shëndetësore për nënat shtatzëna, rritjen e pagesave të mirëqenies dhe dyfishimin e propozuar të pushimit të lehonisë nga tre në gjashtë muaj.

Nxitja e fertilitetit të Tajlandës vjen në një kohë kritike për të ardhmen e vendit. Pesëdhjetë vjet më parë, gratë tajlandeze do të kishin mesatarisht nga pesë fëmijë secila dhe mes shqetësimeve të mbipopullimit, qeveria në vitin 1972 nisi një fushatë për të ulur nivelet e lindjeve. Një nga mesazhet kryesore të fushatës përkthyer si ‘Më shumë foshnje, më shumë varfëri’.

Pavarësisht nëse si rezultat i fushatës apo jo, nivelet e lindjeve ranë dhe shkalla e lindshmërisë në vend ka rënë gati katërfish në 1.51 vitin e kaluar.

Këshilli Kombëtar i Zhvillimit Ekonomik dhe Social të vendit parashikoi kohët e fundit se deri në vitin 2025, një e pesta e popullsisë së Tajlandës do të jetë mbi 60 vjeç dhe se popullsia totale e vendit do të bjerë nga 70 milionë në 40 milionë në vitet pasuese.