Vendosni fjalën kyçe....

Berisha në Shkozet: S’ka kandidat tjetër si Ardi Muka për Durrësin, Sako bëri gabim që kandidoi


Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kandidati i koalicionit opozitar “Shtëpia e Lirisë” për bashkinë e Durrësit, Ardian Muka, kanë zhvilluar një takim këtë pasdite banorët e Shkozetit. 

Berisha kërkoi votën e qytetarëve të Durrësit për Mukën, duke thënë se nuk krahasohet me asnjë kandidat tjetër.

Berisha bëri akuza të forta ndaj kandidates socialiste Emirjana Sako, duke thënë se ajo bëri gabim që kandidoi për kryetare bashkie të Durrësit. Ai e quajti Sakon një nga përgjegjësit për tragjedinë e tërmetit të 2019-ës dhe për aferën e inceneratorëve. 

“Kam kënaqësinë t’ju falenderoj jo vetëm ju por gjithë qytetarët e Durrësit të cilët brenda një kohe të shkurtër ngritën në këmbë një fushatë elektorale e cila po lajmëron humbjen e pashmangshme të atyre të cilët qeverisën 22 vite, fitoren e Ardi Mukës, kandidatit të ‘Shtëpisë së Lirisë’, kandidatit më të mirë që ju ka kërkuar ndonjëherë votën tuaj.

Ardi Muka është një djalë i Durrësit, i brumosur me virtytet, me shpirtin dhe karakterin tuaj, punëtor, i ndershëm, familjar, demokrat dhe një njeri që e ka ndërtuar jetën e tij me djersën e ballit. Njeri që asnjëherë nuk ka shtrirë dorën të kërkojë ndihma nga qeveritë demokrate apo socialiste. E kundërta ka ndodhur. Me ato mundësitë e tij është përpjekur të lehtësojë jetën e qytetarëve të Durrësit, diku duke shtruar një rrugicë, diku tjetër duke kontribuar diçka në një qendër shëndetësore apo shkollë, pra duke dëshmuar një zemër të madhe. Duke dhënë diçka, nga ajo që ai ka krijuar.

Të dashur miq, këto zgjedhje janë të një rëndësie të veçantë. Jo vetëm se ju zgjidhni qytetarin e parë tuajin, por e vërteta është se ju votoni për mbarë shqiptarët, të cilët presin mesazhin e shpresës, mesazhin e ndryshimit, në mënyrë që t’i thuhet ndal kësaj rrokullisje të frikshme të Shqipërisë nga një regjim që çdo gjë bën për pasurimin e tij, që nuk përfill asnjë interes, asnjë nevojë të qytetarëve, i cili në një aferë ka përvetësuar 430 milionë euro dhe kjo është afera e djegësve,I cili kërkon sot të përvetësojë rreth 4 miliardë Euro tullë me 2 mijë euro metrin katror në portin e Durrësit. Një regjim i cili po e spastron këtë vend nga rinia, që kudo që shkon dëgjon sirenat e mjerimit, të varfërisë, të shkretimit të vendit dhe kjo për faktin e vetëm, se Edi Rama dhe mjedisi i tij, ministrat e tij kanë një qëllim, pasurimine  tyre.

Miqtë e mi, sot unë vij këtu për Ardi Mukën. Nuk krahasohet me asnjë kandidat tjetër. Unë mund t’ju them ju që Zonja Sako ka gabuar rëndë që ka kandiduar. Po pse? Sepse ajo ka disa hesape morale në kuptimin e firmave që ka vendosur si kryeeksperte për ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti i shtatorit.

Janë ato ndërtesa këtu në Durrës që kanë firmën e saj, të cilat morën gjithë ato jetë njerëzish. Kjo dosje është në Prokurori. Prokuroria e Edi Ramës edhe mund ta mbyllë atë, por shpirtrat e atyre që s’janë më, bëjnë thirrje për drejtësi dhe ata nuk gjejnë paqe nëse zyrtarët që neglizhuan, që u treguan të papërgjegjshëm, nuk vendosen para ligjit.

Mendoj se shumë e shumë zonja të tjera të PS mnund të vonin të kërkonin votën, kurse ajo nuk kishte asnjë të drejtë. Zonja Sako gjatë këtyre dy viteve që drejton bashkinë, ju jeni dëshmitar, në televizionet e vendit janë dhënë dhjetëra kronika ku qytetarët denonconin padrejtësinë e saj, mosdhënien e granteve apo dhënien e ndihmave sipas përkatësisë partiake. Pra, ajo ka shkelur rëndë kodin dhe ligjet e vendit për ndihmat e tërmetit. Zonja Sako del direkt e implikuar në aferën e djegësva. Nga taksat tuaja ajo ka vendosur 10 milionë në atë aferë dhe përveç kësaj edhe pas shpërthimit të skandalit, dy javë më parë, ka disbursuar 200 mijë euro për banditët e kësaj afere.”– deklaroi Berisha.