Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Tre nga deputetët e Komisionit për Inceneratorët në konflikt interesi, 23 mln euro u dhanë me 17 akte brenda ditës


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në një bashkëbisedim me mediat për punën e Komisionit Hetimor për Inceneratorët ka thënë se është një aferë e bërë me procedura brenda ditës.

Basha tha se 17 akte shtetërore u bënë brenda ditës dhe i dhanë 23 mln euro paradhënie vetëm një ofertuesi me vlerë zero.

“Në një takim me punëdhënës, mu kujtua gjatë bashkëbisedimit, një kompani private, hap tender, merr 3 oferta përpara se të vendosë fituesin. Por edhe një kryefamiljar, përpara se të vendosë ku të blejë tulla dhe llaçin shikon 2-3 vende se kush i ka më lirë. Dhe një amvisë në shtëpi, sheh dy tre dyqane për të blerë tenxhere për të parë se ku janë më lirë. Këta me paratë tuaja brenda një dite kanë bërë 17 akte shtetërore. Që për t’i dhënë një letër zyrtare të vërdallisin nja një javë; Këta për një ditë kanë bërë 17 akte zyrtare. Kanë hapur ofertën, përcaktuan fituesin dhe bënë gati paratë.

Dhanë 23 mln euro paradhënie vetëm me një ofertues, me zero përvojë. Tani e shohim njëri-tjetrin përmes ekranit dhe e dëgjojmë dhe tashmë ekrani nuk ofron mundësinë e nuhatjes. Kur dëgjoni këtë fakte, çfarë ere ju vjen, çfarë ere e qelbur ju vjen. Për një copë letër ju vërdallisin, për një ditë kalojnë 17 akte zyrtare pa një garanci. Shpallin fituesin brenda një dite kur është bërë oferta. Japin 23 mln euro nga paratë tuaja” – tha Basha.

Basha u shpreh më tej se deputetët e PS-së në Komisionin Hetimor bëjnë zhurmuesin dhe kanë penguar anëtarët e tjerë të komisionit për inceneratorët.

Kryedemokrati theksoi se të paktën 3 nga deputetët janë në konflikt interesi pasi janë përfshirë në etapa të ndryshme në aferën e inceneratorëve.

“Kanë frikë nga e vërteta. Një pjesë e mirë e tyre thonë që e kanë bërë por nuk e dinë se e kanë bërë. Paratë që me letra i kanë marrë ata, nuk i kanë marrë. Që nga ai që tha se 9 mln lekë nuk i kam parë me sy. Dhe ata që mes lotëve belbëzonin gjëra që nuk kishin kuptim. Kjo është arsyeja pse u mbyll komisioni javën e kaluar. Anëtarët e PS-së bënë zhurmuesin dhe kanë penguar anëtarët e komisionit për inceneratorëve. Janë njerëz të thjeshtë që të vendosur përpara të vërtetës së dhimbshme, kanë frikë të tregojnë të vërtetën. Të vërtetat që këta dinë është se kanë firmosur letra shtetërore.

Që të mos të tregojnë këto fakte, kolegët socialistë të anëtarëve të PD-së në këtë komision, morën përsipër ardhjen e tyre me vonesë në komision, dhe kur vjen ndokush bëjnë zhurmuesin. Të paktën 3 nga anëtarët e PS-së në komision janë në konflikt interesi pasi janë të përfshirë në etapa të ndryshme në aferën e inceneratorëve. Edhe sikur kjo të mos ishte fare një investim me përfshirjen e shtetit, edhe privati do të shihte 3 vende për ofertën më të mirë për inceneratorët. Deri përpara dy vjetësh, ishin denoncimet tona” – tha Basha.