Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni për Inceneratorët/ Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Energjisë: Shteti ka kontroll në aksione dhe në të gjitha pagesat


Në komisionin hetimor sot po diskutohet për inceneratorin e Fierit. Këtë të premte është thirrur për të dëshmuar Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Viola Haxhiademi.

Gjatë diskutimeve, një pyetje e kryetares së komisionit, Jorida Tabaku, ka shkaktuar debate mes anëtarëve të komisionit.

Tabaku e pyeti dëshmitaren “a nuk është vepër penale të vazhdoni dhe të bëni pagesa për një vepër penale?”. Por deputetët socialistët thanë se Tabaku po e intimidonte dëshmitaren.

Haxhiademi u përgjigj se “shteti ka kontroll në aksione dhe në të gjitha pagesat”.

Pjesë nga diskutimi:

Anila Denaj: S’mund ta intimidoni

Jorida Tabaku: Nuk ka intimidim fare… Zonja Denaj, po të doni mund t’ju thërras për të dëshmuar këtu, nëse kemi gjë për të thënë. Nuk po intimidoj njeri. Autoriteti përgjegjës për pagesat e ndërtimit të landfillit në Tiranë është përgjegjëse ministria e infrastrukturës dhe bashkia Tiranë.

Viola Haxhiademi: Dalin nga bashkia e Tiranës, institucioni jonë është tranzit për të kaluar nga buxheti i shtetit.

Jorida Tabaku: Jeni autoritet kontraktues.

Viola Haxhiademi: Tirana është ndryshe nga kontratat e lidhura të Fierit dhe të Elbasanit. Elbasani dhe Fieri janë PPP.

Jorida Tabaku: E përmenda… Sa monitorime keni bërë?

Viola Haxhiademi: IZP ka bërë çdo muaj, raporti është shoqëruar me foto dhe detaje për investimet e kryera.

Jorida Tabaku: Si pjesë e bilanceve të dorëzuar nga kompania janë vënë re një sërë shkeljesh. 20 milionë euro për punime të realizuar nga inceneratori i Fierit është deklaruar në bilanc, e shkruan vetë. Kanë 20 milionë euro për nën kontraktime të Zotit Klodian Zoto. Nuk mbani përgjegjësi institucioni juaj për pagesat fiktive? 20 milionë euro punime të pakryera i mbartin për vitin tjetër, si janë bërë pagesat pa pasur situacione?

Viola Haxhiademi: Situacione ka dhe janë përgjegjës personat që kanë firmosur për ndjekjen e punimeve

Jorida Tabaku: Në koncesionin përkatës, ka ndodhur 2 herë ndryshimi i pronësisë . A ka dijeni për transferimin e aksioneve?

Viola Haxhiademi: S’kam dijeni, por kam dëgjuar për këtë si fakt. Nuk ka asnjë kërkesë për ndryshim të pronësisë.

Jorida Tabaku: Pagesat për inceneratorin e Fierit vazhdojnë. Inceneratori i Fierit është kapur me shkelje të rënda tashmë, nga pikëpamja procedurale dhe nga pikëpamja e zbatimit. Unë kam konsultuar gjithë legjislacionin, kam parë raste të ngjashme, kam dëgjuar edhe përgjigjen e ministres përgjegjëse për ministrinë tuaj që “qeveria shqiptare ka frikë se shkon në Arbitrazh në qoftë se kjo ndodh”.

Kemi konsultuar tre raste të tjera të ngjashme. Asnjë kompani ku në thelb procedura është koruptive dhe është gjykuar korruptive, nga një organ siç është rasti i SPAK-ut, nuk ka të drejtë ta çojë në Arbitrazh.

Elementi i dytë është. Në momentin e hartimit të kontratës, institucioni i Avokatit të Shtetit i ka dërguar të gjithë palëve, përfshirë edhe institucionit tuaj sugjerime në lidhje me shkelje të rënda të kontratës. Ndërkohë që kontrata është miratuar pa asnjë ndryshim. Avokati i Shtetit dhe unë e kam shkresën këtu, sugjeron që “kontrata është diskriminuese në favor të koncensionarit, në dëm të shtetit. Dhe e dyta, duhet t’i jepet për gjykim një gjykate këtu dhe jo në rastin e Arbitrazhit”.

Këto nuk janë marrë parasysh në hartimin e kontratës e cila në fund të ditës është miratuar nga autoriteti kontraktues, të atëhershëm, jo i juaji, por ka patur përfaqësues të institucionit tuaj. Shqetësimi është, në momentin që është vërtetuar që ka patur pastrim parash nga inceneratori i Fierit. Nuk është vepër penale të vazhdoni dhe të bëni pagesa për një vepër penale?

Viola Haxhiademi: Në lidhje me komentet e avokaturës së Shtetit, të them të drejtën nuk jam në dijeni të kaq detajeve. Patjetër që mund të jenë ngritur komente nga institucione të ndryshme për t’u reflektuar në kontratë. Në momentin që unë kam filluar, kontratat i kam gjetur të lidhura dhe në zbatim e sipër kështu që nuk di të bëj komente në lidhje me këtë çështje.

Jorida Tabaku: Për çështjen e pagesave të Inceneratorit të Fierit?

Haxhiademi: Për çështjen e pagesave të Inceneratorit të Fierit, pagesa e fundit është kryer është diku në dhjketor. Kontrata parashikon detyrimin për të kryer të gjitha pagesat e mundshme. Fieri aktualisht, në dijeninë time, Shoqëria me të cilënm kemi kontratën nuk është e sekuestruar…

Jorida Tabaku: Nuk është e sekuestruar por është në hetim. Ka një akuzë për pastrim parash.

Viola Haxhiademi: Është nën hetim dhe në dijeninë time, nëse nuk gaboj është sekuestruar një prej akionerëve që ka qenë më parë i shoqërisë dhe që ka mazhorancën në aksione.

Ndërhyjnë anëtarët e Partisë Socialiste…

Viola Haxhiademi: Shteti në dijeninë time ka kontroll në aksione dhe në të gjitha pagesat tashmë që bëhen për këtë kontratë. Jemi në kushte shumë më të favorshme se sa në kushtet e mëparshme.