Vendosni fjalën kyçe....

Regresi si oferta më e çmuar në treg


Nga Olsi Bakalli

“Unë pashë sot një panoramë tronditëse, një politikan me duart në xhepat e tij.” – thoshte Mark Twain.

A mund të ishte ky cilësim shpotitës nxitja për lindjen e një shkolle të re të mendimit ekonomik? Ndoshta. Ishte viti 1986 kur James Buchanan mori cmimin Nobel në ekonomi si themelues i shkollës së ekonomiksit të zgjedhjes publike. Puna e tij shërbeu si thirrje për një rishqyrtim të teorisë së financave publike, këndvështrim realist të politikës së parë në aspektin e një aktiviteti ekonomik dhe një sugjerim për të hulumtuar se si interesi personal i burokratëve dhe politikaneve ndikon në vendimarrjen politike .

Argumenti bazë i shkollës së Zgjedhjes Publike (e cila i trajton politikanët/qeveritarët si sipërmarrës politikë) është qartësisht ekonomik: Nëse qëllimi i çdo biznesi është maksimizimi i fitimit, atëherë çfarë maksimizojnë politikanët?

A synon qasja e politikës tradicionale ndaj sistemeve të votimit (mazhoritar vs unanim) perfeskionin në vendimarrje?

Përse gjithnjë e më shumë lobistët përcaktojnë prioritetet e qeverive?

Përse nuk ka një lobim patriotik për rritjen dhe efiçencën e pasurisë së kombit?

Përse sistemet e rregullave afatgjata (supozuar të miratuara në unanimitet) që duhet të rregullonin mënyrën e funksionimit të strukturave  politike dhe që duhej të ndryshonin rrallë; ndryshojnë gjithnjë e më shpesh nga një mazhorancë synimi i së cilës do të duhej të ishte formimi i një qeverie e cila kryen funksionet qeveritare të dakortësuara?

Përse qeveria shërben si rregullator i shumë industrive?

E nëse Arsimin e trajtojmë si një “industri”, përse nuk e kapim, rregullojmë, konsiderojmë prioritet të prioriteteve, emergjencë kombëtare?

Të gjitha këto pyetje tregojnë në thelb gjendjen në të cilën ndodhet familja, shoqëria, shteti dhe mbi të gjitha pushteti.

E gjitha kjo nis nga qëllimi i politikanëve për të maksimizuar dëshirën dhe aftësinë e tyre për të shtuar votat. Vota si mjet i përdorur për vendimarrje politike që shpesh bie ndesh me preferencat e qytetarëve. Interesi publik është thjeshtë një agregat i vendimarrësve privatë. Mbështetja ndaj projekteve klienteliste apo lokaliste i bën politikanët të ndihen të fuqishëm në zonat e tyre, ku mund t’i sigurojnë vetes përfitime financiare dhe më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme duke përdorur para publike.

Grupimet lobuese nuk kanë interes për mbështetjen dhe promovimin e lobimit për një shoqëri më efiçente, veçanërisht në shoqëri relativisht të reja si kjo e jona. Këto grupime janë përfitues dhe përvetësues (edhe me një ritëm të shpejtë), të grimcave të vogla apo të mëdha qofshin, nga pasuria e përbashkët.

Ju vërtetë mendoni se qeveritë rregullojnë industritë për të mbrojtur konsumatorin nga abuzimi me çmimet?! Jo, kjo ndodh sepse biznesi e nxit këtë proces si mbrojtje ndaj rrezikut të konkurrencës dinamike, ose thënë ndryshe rregullon kapjen.

Pra bëhet fjalë për një sjellje racionale të lobistëve (nënkupto biznesmenë) të cilët me pak investim fitojnë favore qeveritare me vlerë miliona dollarë, politikanëve që operojnë me logjikën e biznesit të cilët pa asnjë kosto rrisin votat apo kontributet e fushatës; dhe tatimpaguesit të cilët tregohen racionale në mospengimin e këtyre projekteve, kostoja individuale në afatshkurtër për pengimin e të cilave është më i lartë se përfitimi i secilit qytetar.

Por kjo duhet të ndryshojë. Vetëm ndërgjegjësimi, këmbëngulja dhe kërkesa për më shumë investime në arsim, një sistem arsimor efikas dhe gjithëpërfshirës dhe një fillim i shpejtë i këtij procesi mund të ndryshojë konceptin e racionalitetit në afatgjatë. Shqipëria sigurisht që zhvillohet çdo ditë, por a ecën me hapin e kohës?!