Vendosni fjalën kyçe....

Berisha takohet me banorët e “5 Majit” jashtë Parlamentit: Po përgatisim një ndërhyrje, thirrja jonë të mobilizohen të gjithë qytetarët e Tiranës


Ish-kryeministri Sali Berisha është takuar sot jashtë Parlamentit me banorë të zonës së “5 Majit”, të cilët kërkuan mbështetjen e tij për kauzën e tyre.

Një banore tha se donin ta takonin me patjetër, duke e konsideruar Berishën si të vetmin që i ka mbështetur.

“Ka fiks një vit, që vjet në shkurt që ne kemi kërkuar të takohemi me zotin Erion Veliaj, kemi kërkuar mbështetjen e opozitës së asokohshme që ishte Lulzim Basha por askush s’na ka mbështetur. Ne ju kemi dëgjuar vetëm juve, ju dëgjuam në Kuvend dhe donim me patjetër t’ju takonim sepse ne jemi 12 shtëpi që s’kemi firmosur. Nuk e di, ne jemi me dëshpërim, çfarë do behet me ne, do të tërhiqemi zvarrë, kush do na mbrojë.”– tha banorja.

Berisha tha se do të paraqesin një nismë në Parlament, për të anuluar një ligj që t’u vijë në ndihmë atyre, por që sipas tij mesiguri do të kundërshtohet nga maxhoranca. Ai bëri thirrje për mobilizimin e të gjithë qytetarëve që të ngrihen të protestojnë në mbështetje të banorëve të 5 Majit, Laprakës e Paskuqant,

 “Unë e kam denoncuar shumë herë si një akt çnjerëzor, korruptiv, antiligjor, qëndrimin ndaj jush. Të gjithëve juve pa përjashtim ju takon në një vend normal të përfitoni nga ligji i posedimit në mirëbesim dhe klauzolat e tij. Akti është, asgjësohet ligji këtu sepse janë përfaqësuesit e niveleve të këtij Parlamenti, është Salillari dhe Kapllan Pallati ata të cilët ndërtojnë aty kulla 30 katëshe dhe nuk pranojnë t’ju japin ju 10% të sipërfaqes që ju takon në bazën e trojeve që keni. Ky 10% është më i ulëti që u jepet pronarëve nga çdo kompani ndërtimi që zhvillojnë një zonë. Por kjo nuk ju jepet ju, sepse përqindjen që ju takon ju ata ia japin Erion Veliajt, Lulzim Bravës dhe Edi Ramës.

Unë kam admirimin më të madh për qëndresën tuaj. Po pregatisim një ndërhyrje për të paraqit, çka këta do ta kundërshtojnë, anulimin e ligjit të vitit 2016 i cili pikërisht për të çelur rrugën dhunës kundër qytetarëve, ka nxjerrë përpara procesin e urbanizimit dhe pastaj të legalizimit. Por kjo nuk vlen tek ju edhe kështu siç është, sepse juve ju njihet 100% e legalizimit.

Së dyti, thirrja jonë është të mobilizojmë të gjithë qytetarët e Tiranës, Kamzës, Kasharit, kudo që janë… të ngrihen në mbështetjen tuaj. Protesta juaj nuk është thjeshtë për shtëpitë tuaja, por për një të drejtë e cila u shkelmohet në këtë mënyrë dhjetëra mijëra familjeve shqiptare. Edhe njëherë, banorët e 5 Majit, Laprakës, Paskuqanit, janë që të gjithë viktima të korrupsionit dhe vjedhjes qeveritare të qytetarëve.

Asnjë ndërtues që ka ngritur blloqe të mëdha në Tiranë, nuk ka krijuar konflikte, por iu është përgjigjur me sipërfaqen që u takon pronarëve, por këtë nuk e bën shteti, sepse është narko-shtet. I pari që duhej të bënte këtë, është narkoshteti. Kjo është mafie e drogës dhe krimit.

Ndaj duke mbështetur plotësisht kauzën tuaj se do të dënoj me forcë qëndrimin e kësaj maxhorance.”- deklaroi Berisha.

Banorja: Më 22 shkurt do ndodhen përfaqësues tuaj? … ne kemi nevojë për mbështetje.

Berisha: Unë kërkesën tuaj do ta përcjell, sepse siç e dini ne kemi një komision kolegjial dhe e quaj të drejtë këtë kërkesë.