Vendosni fjalën kyçe....

Rusia nxori pamjet duke u tërhequr, reagon NATO: Deri tani s’e kemi parë, përkundrazi


NATO ka akuzuar Rusinë për rritjen e numrit të trupave që ka grumbulluar në kufirin ukrainas, një ditë pasi Moska pretendoi se kishte filluar tërheqjen e disa prej njësive të saj ushtarake.

Udhëheqësit perëndimorë kanë paralajmëruar se ata ende nuk kanë parë prova të një tërheqjeje, edhe pse një zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes njoftoi të martën se disa njësi, pasi kishin përfunduar stërvitjet ushtarake pranë kufirit, ishin tashmë në lëvizje.

Qeveria ruse publikoi disa pamje në video të mërkurën, të cilat pretendonte se tregonin njësitë ushtarake që po ktheheshin në bazat e tyre të përhershme pas përfundimit të stërvitjeve.

Zyrtarët rusë kanë njoftuar gjithashtu se trupat që angazhohen në stërvitjet ushtarake në Bjellorusi, në veri të Ukrainës, gjithashtu do të kthehen në bazat e tyre të përhershme më 20 shkurt. Megjithatë, liderët perëndimorë kanë hedhur dyshime mbi pretendimet e Rusisë.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të takohen në Bruksel të mërkurën për të diskutuar atë që aleanca ushtarake e ka quajtur “kriza më serioze e sigurisë me të cilën jemi përballur në Evropë për dekada”.

Duke folur me gazetarët përpara takimit të mërkurën, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se “mbetet për t’u parë nëse ka një tërheqje ruse”.

“Deri më tani, ne nuk kemi parë ndonjë de-përshkallëzim në terren. Përkundrazi, duket se Rusia vazhdon ngritjen e saj ushtarake.”– tha ai, citon CNBC.

Stoltenberg shtoi se Rusia “ka lëvizur gjithmonë forcat përpara dhe mbrapa”, kështu që pamjet që tregojnë lëvizjen e forcave dhe tankeve “nuk konfirmojnë një tërheqje të vërtetë”.

Stoltenberg ka thënë se aleatët e NATO-s “mbeten të gatshëm të angazhohen me Rusinë”.