Vendosni fjalën kyçe....

Kjo është logoja e MIA-s, Agjencisë për Media dhe Informim që do drejtohet nga Endri Fuga


Kjo është logoja e Agjencisë për Media dhe Informim, e cila u krijua në shtator të vitit të kaluar me vendim të qeverisë. 

Drejtuesi i këtij institucioni siç e kemi mësuar më parë është Endri Fuga, i emëruar nga kryeministri Edi Rama që më 29.9.2021.

Kjo Agjenci ka si një nga qëllimet kryesore koordinimin mediatik të ministrive. 

“Agjencia ka si qëllim të sigurojë transparencën në lidhje me politikat, aktivitetet, projektet, eventet, si dhe qëllimin, objektivat, risitë apo problematikat që zgjidhen nëpërmjet akteve të Këshillit të Ministrave dhe të akteve të tjera të ministrave dhe çdo institucioni të administratës shtetërore dhe organizon punën për të përgatitur qëndrimet dhe sondazhet e qeveritare mbi çështjet me interes publik.”– thuhet në VKM. Muajin e kaluar qeveria vendosi për të lëshuar me qira, me tarifë të reduktuar të sallën e konferencave “A” dhe disa zyra në mjediset e Pallatit të Kongreseve, të cilat janë vënë në dispozicion për Agjencinë për Media dhe Informim (MIA).

Mirëpo kujtojmë se kur kryeministri Edi Rama dha vendimin për krijimin e kësaj agjencie, pati kritika dhe kundërshti të forta nga opozita. Të shumtë e kanë quajtur atë “Ministri të Propagandës”.

Pedagogia Jonila Godole, e cila së fundmi është angazhuar pranë PD-së si Sekretare për çështjet e të Përndjekurve Politikë, e kritikoi këtë lëvizje të qeverisë duke e konsideruar agjencinë e re si “strukturë propagande”, që “është ogur i keq për lirinë e shprehjes dhe gazetarinë”.

Por përveç opozitës, kundërshti të forta pati edhe nga mjedisi mediatik e madje 6 shoqata gazetareske të Ballkanit Perëndimor, që përfaqësojnë më shumë se 8200 gazetarë, të cilat i kanë shkruar Komisionerit të BE -së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi, Federatës Evropiane të Gazetarëve dhe Unionit Evropian të Transmetuesve në lidhje me situatën aktuale të lirisë së medias në Shqipëri. Një nga shqetësimet e ngritura prej tyre ishte pikërisht krijimi i një Agjencie të re për Media dhe Informacion “që do të centralizojë të gjithë komunikimin qeveritar”, do të monitorojë mediat dhe opinionin publik dhe do të udhëhiqet nga zëdhënësi i kryeministrit Edi Rama.

Në letër, ata shprehën shqetësimin se kjo do të “mbyllë derën për gazetarët”, veçanërisht ata investigativë ose kritikë, duke penguar më tej lirinë e medias.