Vendosni fjalën kyçe....

U konfliktua me klientët dhe pronarin e lokalit, arrestohet në flagrancë efektivi i Gardës


Foto ilustruese

Një efektiv i Gardës së Republikës është arrestuar nga ditën e sotme pasi dyshohet se ka kryer veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe kanosjes.

Efektivi Dashamir Kurti është konfliktuar fizikisht me klientët dhe pronarin e një lokali në rrugën Elez Isufi në Tiranë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se efektivi i Gardës ka konsumuar alkool në ambientet e lokalit dhe më pas është konfliktuar me klientët dhe pronarin e lokalit të cilët kanë arritur t’i heqin armën nga dora duke e neutralizuar.

Njoftimi i plotë:

Sot, ora 17:30, Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë arrestoi në flagrancë punonjësin e Gardës së Republikës, Inspektor D. K., 44 vjeç, me detyrë Trupë Shërbimi, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Kanosja”.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se rreth orës 12:10, punonjësi i Gardës së Republikës, D. K., është konfliktuar fizikisht për motive të dobëta me klientët dhe pronarin e një lokali në rrugën “Elez Isufi” në Tiranë, të cilët i ka kanosur me armën e shërbimit, në shpërdorim të detyrës. Nga hetimet paraprake rezulton se D.K., duke qenë jashtë shërbimit, ka konsumuar pije alkoolike në ambientet e lokalit dhe më pas është konfliktuar me klientët dhe pronarin e lokalit, të cilët kanë arritur t’i heqin armën nga dora duke e neutralizuar.

Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga punonjës të Gardës së Republikës, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.