Vendosni fjalën kyçe....

Një nga ish-oficerët e sigurisë të Justin Trudeau në krye të ‘Freedom Convoy’


Radio-Canada sot (10.02) ka raportuar që mes organizatave që mbështesin Freedom Convoy, është edhe një grup i përbërë nga ish-oficerë të rangjeve dhe shërbimeve të ndryshme policore si dhe ish-ushtarakë të Forcave të Armatosura Kanadeze.

Ndërkohë, edhe pse Policia e Ottawa këto ditë ka vazhduar përpjekjet për ndërprerjen e furnizimeve për protestuesit që prej dy javësh ndodhen në Parliament Hill, këta të fundit janë treguar më të zotë se policët e Peter Sloly.

Sipas disa ekspertëve të sigurisë, të cilëve u referohet media kryesore shtetërore kanadeze, suksesi i kamionistëve i atribuohet pjesërisht njohurive të plota të zbatimit të ligjit dhe taktikave ushtarake nga disa prej organizatorëve të Freedom Convoy.

Është pikërisht organizata Police on Guard, e krijuar gjatë pandemisë, që mbështet lëvizjen e kamionistëve, Në faqen e saj të internetit, kjo organizatë ka të publikuar emrat e më shumë se 150 ish-oficerëve të policisë, kryesisht në pension, të cilët kundërshtojnë masat emergjente të vendosura nga qeveria federale, mbi të gjitha vaksinimin e detyrueshëm.

Po kështu, në faqen e internetit në fjalë janë të publikuar emrat e më shumë se 50 ish-ushtarakëve të Forcave të Armatosura Kanadeze.

Organizata Police on Guard ka konfirmuar publikisht prezencën në Ottawa dhe madje ka publikuar video në YouTube ku shihen anëtarët e saj që marrin pjesë në protestë.

Sipas Radio-Canada, ekipi i organizatorëve të Freedom Convoy përfshin në veçanti:

Daniel Bulford, një ish-oficer i RCMP, Policia Mbretërore Kanadeze, i cili ishte pjesë e shërbimit të sigurisë së kryeministrit Justin Trudeau dhe që dha dorëheqjen vitin e kaluar pasi refuzoi të vaksinohej. Ai aktualisht kryen detyrën e shefit të sigurisë së Freedom Convoy.

Tom Quiggin, ish-oficer i Shërbimit Inteligjent Ushtarak, i cili gjithashtu ka punuar për Policinë Mbretërore Kanadeze (RCMP) dhe konsiderohej një nga ekspertët më të mirë të vendit në fushën e luftës kundër terrorizmit.

Tom Marazzo, ish-ushtarak, i cili, sipas profilit të tij në LinkedIn, ka shërbyer në Forcat e Armatosura Kanadeze për 25 vjet dhe tani punon si një zhvillues i pavarur softuerësh.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Flasshqip.ca