Vendosni fjalën kyçe....

Gazetaria e pavarur ka perspektivë vetëm nëse ka lexues që paguajnë për përmbajtje


Nga Enver Robelli

Gazetaria e pavarur dhe profesionale ka perspektivë vetëm nëse ka lexues që paguajnë për përmbajtje.

“New York Times”, gazeta me gjasë më e mirë në botë, njoftoi këtë javë se ka arritur të sigurojë mbi 10 milionë parapagues/e. Në fund të dhjetorit gazeta kishte 800 mijë parapagues të edicionit të shtypur. 5,9 paguanin edicionin digjital, më shumë se dy milionë paguanin për përmbajtje të tjera. Këtyre tani u janë shtuar edhe 1,2 milionë parapagues të webfaqes së sportit “The Athletic”, të cilën “New York Times” e ka blerë për 550 milionë dollarë. Për tremujorin e fundit të vitit 2021 “New York Times” arriti të fitojë 109,3 milionë dollarë. Caku i ardhshëm i kësaj gazete: 15 milionë parapagues deri në vitin 2027.

Po munguan lexueset dhe lexuesit që paguajnë për përmbajtje, përmbajtja publicistike është kjo: qyfyret e disa figurave e figurinave të mbyllura në një shtëpi dhe të vëzhguar 24 orë me kamera, ndërkohë që publiku gjuhëzgjatur është në pritje se kush kujt po i bën kurthin apo kush me kënd po kopulohet në ndonjë aktivitet horizontal.

Pastaj lajm është ndonjë postim nëpër mediat (a)sociale. Dhe lajmi ekskluziv portalesk: (k)analist filani godet filan (k)analistin, përplasje, sharje, grushtime, dhunë, terror psikik.

Eh, po, gazetari i thonë edhe kësaj! Gazetari të çmendurish prodhuar për një publik që të çmendurit duan ta shohin si kafshë katërkëmbëshe.