Vendosni fjalën kyçe....

Putin thotë se SHBA-të po shtyjnë Rusinë në luftë me Ukrainën


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka akuzuar SHBA-në se po përpiqet ta shtyjë vendin e tij në një luftë në Ukrainë.

Ai tha se qëllimi i Amerikës ishte të përdorte një konfrontim si pretekst për të vendosur më shumë sanksione ndaj Rusisë.

Putin tha gjithashtu se SHBA-ja po injoronte shqetësimet e Rusisë në lidhje me zgjerimin evropian të NATO-s.

SHBA dhe aleatët e saj e akuzojnë Rusinë se planifikon të pushtojë Ukrainën, diçka që Rusia e ka mohuar vazhdimisht.

Të martën, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken shkroi në Twitter se SHBA-ja ishte “e angazhuar për të parandaluar një konflikt që nuk është në interesin e askujt”.

Ndërkohë, gazeta spanjolle El Pais ka publikuar disa dokumente konfidenciale të cilat thotë që SHBA dhe NATO ia dërguan Rusisë javën e kaluar – ku flitet për ofertat e bisedimeve për reduktimin e armëve bërthamore dhe masat e ndërtimit të besimit në këmbim të uljes së tensioneve mbi Ukrainën.

Një zyrtar i NATO-s i tha BBC-së se aleanca nuk komenton kurrë informacionet e supozuara në media. Zëdhënësi i Presidentit Putin, Dmitry Peskov tha se Moska ishte në dijeni të raportit, por se ata nuk e publikuan atë dhe as nuk donin ta komentonin.

Në javët e fundit Rusia ka zhvendosur rreth 100 mijë trupa, tanke dhe municione në kufirin e Ukrainës.