Vendosni fjalën kyçe....

Mediet të nxisin të përbuzësh të ngjashmin me ty dhe mandej të moralizojnë e të bëjnë të përbuzësh veten


Nga Arbër Zaimi

Thotë një media: “sa qesharake kjo video e një filani”.

Publiku i mediave qeshin dhe përqeshin atë video dhe filanin.

Thotë një media tjetër: “Gjynah filani, e keni lënduar me përqeshjet tuaja.”

Publiku i mediave: “gjynah, gjynah, shumë gabim, ky popull është bullizues, e kanë lënduar të shkretin filan.”

Praktikisht njeriut të zakonshëm i tregohet një tjetër njeri i zakonshëm (pak a shumë sikur t’i tregohet vetvetja në pasqyrë) dhe fillimisht i thuhet shiko sa mjeran e i përbuzshëm është ky i ngjashmi jot, pastaj i thuhet shiko sa i mëshirueshëm është ky i ngjashmi jot, por ti je zemërzi e kriminal që në vend se ta mëshirosh e përbuz. Ky operacion i gjithi rezulton në vetëurrejtje, në çoroditje e në parehati. Të nxisin që të përbuzësh të ngjashmin me ty dhe mandej të moralizojnë e të bëjnë të përbuzësh veten. Një krizë e vazhdueshme e individëve, që nën një tronditje të tillë më lehtë manipulohen sipas interesave që nuk i kuptojnë.

Askush nuk e shtron pyetjen: pse qesharakja e rëndomtë, banalja, bëhet e famshme? Pse i jepet skenë dhe vëmendje asaj? Pse kemi sot persona të famshëm pa asnjë talent, që janë të famshëm thjesht ngaqë janë të famshëm? A është gara e medias për të tërhequr vëmendjen e publikut, një garë “drejt fundit”. Si mendoni, në një shesh me shumë njerëz, a do të tërhiqte më shumë vëmendje një profesor që shpjegon Aristotelin, apo një manjak i famës që ul pantallonat në mes të sheshit? Ai i pantallonave të ulura do merrte më shumë vëmendje, shikime e klikime. Normal edhe më shumë tallje e përqeshje. Mbase do prekej e lëndohej pak, apo mbase edhe do bënte sikur, sepse lotët rrisin famën. Pastaj do “solidarizoheshin” njerëzit me të dhe do niste lëvizja e uljes së pantallonave në sheshe. Industrializim i idiotësisë.

Në modernitetin e teknologjisë invazive duhet forcuar edukimi parauniversitar, përndryshe secili përfundon marionetë e mediave.

Në shkollën fillore do ta kisha përfshirë lëndën “Edukatë mediale” dhe në të mesmen “Sociologji e ekonomi e medias”, që sa më shumë njerëz të kuptojnë rreziqet, budallallëqet, e të ruajnë veten.