Vendosni fjalën kyçe....

Berisha prezanton kandidatët e “6 Marsit”: Zgjedhjet e djeshme shënuan shkëputjen përfundimtare nga praktikat e errëta të Lul Bravës, standard i paparë


Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar gjashtë kandidatët e tij për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Në një konferencë për mediet, Berisha u shfaq në krah të 6 kandidatëve që fituan Primaret e ditës së djeshme. Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri vlerësoi zgjedhjet e mbajtura dje, duke u shprehur se për herë të parë në historinë e pluralizmit u zhvilluan zgjedhje me standard.

“Falënderoj ata mijëra e mijëra anëtarë të PD, që me votën e tyre të lirë bënë histori. Ata sollën sot këtu para jush, për herë të parë në historinë e pluralizmit politik në Shqipëri, kandidatë që janë propozuar, votëbesuar e përzgjedhur tërësisht nga anëtarësia e PD.

Këto nuk janë primaret e para, pasi primaret e para në historinë e PD janë zhvilluar në vitin 2000 me qeveritarët vendorë. Por, këto janë primaret e para, në të cilat çdo kandidat është produkt dhe atribut i anëtarësisë së PD. Asnjëri nga këta zotërinj që shihni këtu nuk janë kandidatë të Sali Berishës apo të Komisioni të Rithemelimit të PD, por janë të gjithë të propozuarit e bazës së partisë, që kanë mbështetjen absolute totale të Komisionit të Rithemelimit të PD dhe të Sali Berishës.

Kjo është diferenca e madhe, kjo i bën këto primare më demokratiket të zhvilluara në ndonjë vend dhe mund t’iu them se dita e djeshme shënoi aplikimin e një standardi të paparë, që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri.

 Dita e djeshme shënoi shkëputjen përfundimtare të PD nga praktikat jo transparente, të dyshimta, të errëta, të përdorura në tetë vite nga Lulzim Brava dhe shënoi mbajtjen e një premtimi të bërë anëtarësisë së PD katër muaj më parë dhe të sanksionuar në statutin e kësaj partie në Kuvendin e Rithemelimit të datës 11 dhjetor, të drejtën e anëtarëve për të përzgjedhur përfaqësuesit e tyre në qeverinë vendore, në Parlament, në drejtim të PD në degët e tyre, por edhe kryeministrin e tyre.

Kjo garë e djeshme u zhvillua brenda standardeve më të mira të zgjedhjeve të lira, në këtë garë kanë marrë pjesë 21 kandidatura në rrethet Shkodër, Durrës, Peshkopi, Vorë, Lushnjë e Rrogozhinë, nga të cilat këtu kemi gjashtë fituesit e garës. Falënderoj kandidatët për punën e shkëlqyer dhe besimin që morën nga anëtarësia e PD. I siguroj që ne do bëjmë gjithçka në mbështetje të tyre, që ata më 6 mars të jenë qytetarë të parë të bashkive, në të cilat garojnë. Falënderoj të gjithë ekipin, Komisionin e Rithemelimit, atë të Procedurave Zgjedhore, për punën e madhe që bënë në një kohë të shkurtër në realizimin e këtij procesi.”– tha Berisha.

Por si u vetëprezantuan ata?  Njëri mjek, tjetri ekonomist, e dikush arsimtar, 6 kandidatët folën disa fjalë për t’u prezantuar. Elton Bano në Lushnjë tha se do t’i rikthente qytetit vlerat që i kanë munguar.

Bardh Spahia, Shkodër: Dje kam asistuar në një prej garave më të jashtëzakonshme. U bëra pjesë e një dite të historike, jo veç për PD, por për politikën shqiptare.

Gara e djeshme e realizuar nga struktura jonë e PD, ishte shpresëdhënëse për të ardhmen e cila riktheu edhe njëherë rëndësinë e jashtëzakonshme rëndësinë e votës së lirë të qytetarëve të lirë të këtij vendi. Kjo është e drejta absolute e tyre për të vendosur për ata që do ti përfaqësojnë ata në institucione lokale e kombëtare. Interes i jashtëzakonshëm i qytetarëve shkodranë që në orët e para të mëngjesit deri në orët e darkës.

Jam krenar unë dhe duhet të ndihet krenar çdo demokrat që u bë pjesë e një dite historike. Vendimmarrja tani është kthyer tek qytetarët.”

Ardian Muka, Durrës: “Përgëzoj të gjithë demokratët durrsakë të cilët në primaret e djeshme shprehën me votën e tyre, në një proces transparent, demokratik, vlerat më të mira qytetare dhe demokratike. Jam anëtar i PD prej 15 vitesh, dhe simpatizant prej 30 vitesh.

Sfida jonë në Durrës është pak e veçantë, pasi prej 22 vitesh ne nuk e kemi si e djathtë këtë qytet. Jam i bindur 100% që kësaj radhe Durrësi do të jetë i qytetarëve.”

Elton Bano, Lushnjë:Kontributet e mia në PD kanë nisur që në vitet 1990. Që prej 1997 jam kontribuues edhe në fushatat e PD. Dje isha pjesëmarrës i një procesi të jashtëzakonshëm, i primareve, që demokratët votuan për kandidatin që ata menduan se do t’i përfaqësoj më mirë në bashkinë e Lushnjës.

Falënderoj pjesëmarrësit në votime dhe kandidatët e tjerë që morën pjesë në garë. Do ta fitojmë bashkinë e Lushnjes dhe do t’i rikthejmë qytetit vlerat që i kanë munguar. Qyteti im nuk është qyteti i krimit dhe korrupsionit, është qyteti i artit, kulturës, sportit, ngjarjeve historike. Është qyteti i kongresit të Lushnjës. Ftoj qytetarët të bëhen pjesë e garës së 6 marsit.”

Premtim Kryemadhi, Dibër:E kam nisur karrierën në PD, që në vitet 1990, duke mos kapërcyer hallkat. Kam qenë nënkryetar i PD-së në Dibër, kam drejtuar Këshillin Bashkiak, drejtorinë arsimore të Peshkopisë. I falënderoj demokratët e Dibrës që dje edhe pse në temperatura shumë të ulëta, erdhën dhe votuan masivisht edhe më shumë se ditën e referendumit. Ne jemi menaxhuar keq nga qendra. Në 25 prill unë isha kryetar i KZAZ-së, dhe kishim më shumë se 2500 vota se herën e fundit, por ne përfaqësohemi me vetëm 1 deputet. Demokratët e Dibrës do ta marrin bashkinë në 6 mars.”

Lulzim Vrana, Vorë: Jam pjesë e PD që në krijimin e saj. Jam fitues i primareve në Vorë. Falënderoj të gjithë demokratët, jo veç ata që më votuan mua, po të gjithë ata që morën pjesë. Jam dhe do të jem përfaqësues i qytetarisë së Vorës. Do të jem gjithmonë përfaqësues i tyre.”

Hekuran Xhani, Rrogozhinë: Student i dhjetorit 1990, anëtar i PD-së si në universitetin bujqësor të Tiranës, kur isha në shkollë edhe në vendin tim të banimit. Kam qenë sekretar i seksionit të Luzit të madh, që për 30 vite ka mbështetur PD-në. Falënderoj grupin organizator për procesin e djeshëm. Garantoj të gjithë demokratët e Rrogozhinës se ashtu e ndershme siç ishte gara e djeshme, ashtu do të jenë edhe shërbimet që ata do të marrin nga bashkia.”

Ish-kryeministri Berisha shtoi se më 6 Mars do garojnë si pjesë e një koalicioni me Lëvizjen Socialiste për Integrim.