Vendosni fjalën kyçe....

Koreja e Veriut teston raketën më të madhe që prej 2017-ës


Koreja e Veriut ka kryer atë që mendohet të jetë lëshimi i raketave më të mëdha që nga viti 2017.

BBC shkruan se arma ishte me sa duket një raketë me rreze të mesme e cila arriti një lartësi prej 2 mijë kilometrash përpara se të zbriste në Detin e Japonisë.

Japonia, Koreja e Jugut dhe SHBA-ja e kanë dënuar këtë testim, i shtati për këtë muaj.

Kujtojmë se OKB-ja e ndalon Korenë e Veriut nga testet e armëve balistike dhe bërthamore dhe ka vendosur sanksione të rrepta. Por shteti i Azisë Lindore e kundërshton vazhdimisht këtë dhe udhëheqësi Kim Jong-un është zotuar të forcojë mbrojtjen e vendit të tij.

Ekspertët sugjerojnë arsye të shumta që qëndrojnë pas valës së testimeve, duke përfshirë sinjalizimin politik të fuqisë për vendet perëndimore, një dëshirë nga Kim Jong-un për të bërë presion ndaj SHBA-së në bisedimet bërthamore të ngecura prej kohësh dhe gjithashtu nevojën praktike për të testuar inxhinierinë e re dhe sistemet e komandës ushtarake.

Koha e këtyre testimeve shihet gjithashtu si e rëndësishme, pasi vjen pak para Olimpiadës Dimërore në Kinë dhe përpara zgjedhjeve presidenciale të Koresë së Jugut në mars.

Testet janë shtuar gjithashtu në një kohë kur ekonomia e lëkundur e Koresë së Veriut lufton nën sanksionet e vendosura nga SHBA, vështirësitë e lidhura me pandeminë dhe dekada të keqmenaxhimit.