Vendosni fjalën kyçe....

Berisha me demokratët e Vaut të Dejës: Sot me Primaret merr fund praktika korruptive dhe autoritare e emërimeve nga lart


Ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet sot në një takim me demokratët në Vaun e Dejës në Shkodër. Gjatë fjalës së tij, Berisha përmendi primaret që po zhvillohen sot në 6 bashki të vendit, ku po zgjidhen kandidatët me të cilët do të paraqitet Komisioni i Rithemelimit të PD-së në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit.

Berisha tha se sot merr fund praktika korruptive dhe autoritare e emërimeve nga lart, apo dhe e “zarfeve dhe pakove me euro për të fituar emërimin” siç shprehet ai. Sipas Berishës, primaret janë metoda më demokratike e zgjedhjes së përfaqësuesve të qytetarëve.

“Unë kam kënaqësi të veçantë që takohem sot me ju në një ditë të rëndësishme për PD-në por edhe për vendin, sot në 6 bashki të Shqipërisë, Shkodër, Durrës, Peshkopi, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Vorë, anëtarët e PD-së votojnë dhe zgjedhin me votën e tyre të lirë, kandidatin apo kandidaten që do të garojë për qytetar të parë për këto bashki. Unë mendoj se kjo është një arritje e madhe.

Katër muaj më parë ne premtuam këtë praktikë, ne u angazhuam dhe u zotuam përpara jush se do të rikthejmë votën e lirë. Sot ajo po ushtrohet nga mijëra e mijëra demokratë. Primaret janë metoda më demokratike e zgjedhjes së përfaqësuesve tuaj. Ju jap fjalën se me votën tuaj, ju do të zgjidhni jo vetëm kryetarët e bashkive, por edhe këshilltarët e tyre, deputetët tuaj dhe do të zgjidhni në një të ardhme të afërt edhe kryeministrin tuaj.

Merr fund praktika korruptive dhe autoritare, merr fund praktika e emërimeve nga lart, e zarfeve dhe pakove me euro për të fituar emërimin. Emërimi do jetë atribut i vullnetit tuaj të lirë për çdo zyrtar që ju përfaqëson ju.

Të dashur qytetarë, ne besojmë se pa votën e lirë nuk ka liri të vërtetë dhe ju jeni dëshmitarë se si këto 8 vite, vota e lirë u syrgjynos, u sikleris nga shopqëria shqiptare. PS nga viti 2009 gjer sot nuk ka bërë një votim të lirë në gjirin e saj, përkundrazi, votoi në 2009-ën që të mos votohej më për kryetarin. PD e drejtuar nga Lulzim Brava degradoi në atë shkallë që tejkalon edhe imagjinatën e George Orëellin, Franc Kafkën e Garcia Markezit. Degradoi në atë shkallë sa para kamerave, tu thotë shqiptarëve se aty ku janë e aty ku ishin 1958 karrige janë të ulur 5 mijë e 4 delegatë, 5 mijë e 4 vota.

Sot PD duke vendosur primaret i jep fund kësaj situate tmerrësisht të papranueshme, korruptive dhe totalitare, rikthen tek anëtarësia e saj votën e lirë. Në të vërtetë rikthen dinjitetin e tyre. Njeriu që nuk voton i lirë ka dinjitetin të shkelmuar dhe ju këtë nuk e meritoni kurrë.”- tha Berisha.