Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Unë jam vetëm me Bachelor, shqiptarët i ke të gjithë me Master


Gjatë fjalës së tij në takimin e mbajtur në Universitetin Bujqësor të Tiranës, kryeministri Edi Rama vuri në dukje, ndryshimin që sipas tij ka pësuar UBT.

Mes të tjerash, Rama nuk hezitoi të shkëmbejë batuta me të pranishmit. Ai tha se në sallën që mbahej ky takim, ishte i vetmi pa tituj akademikë, në një kohë kur siç shprehet ai të gjithë shqiptarët janë me Master.

 “Sot për mua është një ditë e shënuar e marrëdhënies me rektorin, në të drejtën e tij ai ishte shumë i shqetësuar disa kohë më parë, qoftë për faktin se ka pasur një rënie të interesit për regjistrime në Universitetin Bujqësor në vitet e fundit. Qoftë për faktin e mos hapjes së doktoraturave. Banaliteti i madh që e ka përmbysur fatalitetin mes doktorëve dhe jo doktorëve në këtë vend.

Për të dyja kemi pasur diskutime sesi t’ja dalim më mirë dhe s’i të bëjmë gjënë e duhur, sepse në këndvështrimin tim nuk ka si të jetë gjëja e duhur ulja e kritereve për tu futur në universitet apo çelja e doktoraturave.

Në këtë sallë unë duhet të jem i vetmi pa asnjë titull shkencor dhe asnjë statusi akademik. Një Bachelor i thjeshtë jam unë nga e kaluara ime.

Megjithëse Evisi thotë jo se po të konvertohet me të sotmen i bie të jetë Master. Por kjo fjala Master më është bërë tmerr kur mendoj se të gjithë shqiptarët janë me Master.

Sot është një ditë shumë e bukur për universitetin, edhe falë bashkëpunimit me qeverinë gjermane dhe falë kontributtit të agjencisë gjermane të ndihmës pasi sot hapet një proces doktoraturash i një cilësie të garantuar. Iu jepet mundësia 30 individëve me vlerë të spikatur në rrugën e tyre, që të zhvillojnë një doktoraturë, e cila të ketë vulën e universiteteve më të mira të fushës në Gjermani, apo vende të tjera të BE. Ky është modeli që duhet të shtrijmë në të gjithë sistemin për doktoraturat. Ne nuk duhet të japim në këndvështrimin tim doktoratura lokale. Dhe ne nuk duhet të kemi në të ardhmen tonë jo shumë të largët as universitete lokale.”- tha Rama.