Vendosni fjalën kyçe....

“U përuruan me bujë 22 ditë më parë nga Rama e Veliaj, në 3 pallatet te ‘5 Maji’ nuk banon asnjë familje” – Denoncimi me video


22 ditë më parë, kryeministri Rama e kryebashkiaku Veliaj përuruan me bujë disa objekte të ndërtuara në zonën e 5 Majit në kuadër të programit të rindërtimit.

Në videot e shpërndara në rrjetet sociale të Ramës, Veliajt e Ahmetajt, shihet nisja e ceremonisë me këngë e valle, teksa dhjetëra qytetarë janë mbledhur përreth.

Në fjalën hapëse theksohet se në këto apartamente do strehohen 100 familjet e para që do pasohen nga shumë të tjera në vijim.

Madje pjesë e materialit është edhe vizita e Ramës dhe Veliajt te njëri nga apartamentet me familjen përfituese.

Mirëpo 22 ditë më pas rezulton se tre pallatet janë të pabanuara dhe asnjë familje nuk është zhvendosur në to.

Vëzhgimi është bërë nga faqja ‘E drejta për qytetin’ në Facebook. Ata kanë shkuar te tre pallatet e përuruara 22 ditë më parë dhe kanë gjetur se aty nuk banon asnjë familje, pasi të gjitha apartamentet janë bosh.

“Rama e Veliaj përuruan tre nga objektet e reja në Lagjen 5 Maji në Tiranë në fund të vitit 2021. Sipas tyre aty u strehuan 100 familjet e para nga programi i rindërtimit në lagjen 5 Maji. Ne menduam t’u kushtojmë një vizitë këtyre familjeve sot, tre javë pasi supozohet se kanë marrë çelsat. Le t’i hedhim një sy. Te dera e parë nuk përgjigjet njeri. as te e dyta. As te e treta, as të e katërta. Errësira sundon në secilin kat. Provojmë shkallën tjetër, aty ku doli Rama me një banor. Dera e gjithë shkallës është e kyçur. Asnjë nga zilet nuk funksionon. Kalojmë te objekti tjetër i cili ndodhet në mes të një kantieri. Roja na thotë që nuk ka banorë aty. Dritat janë të fikura të gjitha. Se ku janë banorët këtu vetëm Rama e Veliaj mund ta dinë.” – thuhet në materialin video të shpërndarë në Facebook.

Në zonën e 5 Majit prej disa ditësh kanë nisur prishjet e shumë ndërtesave, gjë që kja çuar në përplasje mes banorëve që kundërshtopjnë projektin e bashkisë dhe e konsiderojnë si aferë korruptive dhe policisë.

Banorët kanë akuzuar Ramën e Veliajn se po mashtrojnë me programin e rindërtimit në zonën e 5 Majit. Ndërkohë Veliaj nga ana e tij ka thënë se të gjitha familjet që do u prishen shtëpitë do komensohen.