Vendosni fjalën kyçe....

Basha takim me demokratët e degës nr.8 në Tiranë: Lëreni Berishën të shfryjë, 8 janari ua hapi sytë të gjithëve dhe sot jemi bashkë


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar sot me qytetarët e degës nr.8 në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, Basha u ndal tek problemet e brendshme në Partinë Demokratike dhe konfliktim e tij me ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ai akuzoi Berishën se filloi një lëvizje të tërë vetëm për hallin e tij personal. Por sipas tij 8 Janari ua ka hapur sytë të gjithëve për të kuptuar arsyet pse Basha mori vendimin në shtator për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar pas shpalljes së këtij të fundit “non grata” nga SHBA-të.

Basha tha se ai s’mund të lejonte që t’i vinte demokratët kundër njëri-tjetrit.

“A mund t’ia lejoja vetes time në radhë të parë, që ky që më njihni si çunin e lagjes tuaj, edukatës time familjare, sensit tim si demokrat që në momentin e parë që ka lind kjo parti e jo më pastaj përgjegjësisë që më keni ngarkuar si kryetar i Partisë Demokratike t’i vija demokratët kundër njëri-tjetrit?

Jua kam thënë në fillim kush më ka pyetur, jo nuk e bëj. Lëre të shfryjë. E di që është plot me mllef, me zemërim, me gënjeshtra, por e keqja do ta bëjë ciklin e vet si çdo virozë, do të ketë edhe koston e vet si çdo virozë. Por, nuk luftohet duke i vënë demokratët përballë njëri-tjetrit dhe kjo është arsyeja besoj e kuptoni shumë mirë. 8 janari ua ka hapur sytë të gjithëve se pse kam marrë atë vendim dhe pse ai ishte vendim i drejtë. Dhe kjo është një arsye më shumë se pse sot jemi bashkë, jemi shumica absolute këtu e strukturave drejtuese, nesër do të jemi edhe më shumë siç ishim dje, siç ishim para 4 apo 5 ditësh, siç do të jemi nesër sepse demokratët nuk janë bashkë as për emrin, as për karrigen, as për famën e një njeriu të vetëm. Janë bashkë sepse tek bashkimi jonë shohin dhe gjejnë forcën për t’u bërë më të mirë, më të fortë, më të gatshëm që t’i përgjigjemi kujt? Kërkesave të shqiptarëve.”- tha Basha.

Fjalimi i Bashës

Faleminderit Pëllumb dhe mirë se ju gjej të dashur drejtues, anëtarë të strukturave të degës 8 ku vij jo thjesht si kryetar i Partisë Demokratike, por si anëtar i degës 8, këtu në këtë zonë të zemrës së Partisë Demokratike në kryeqytet me një domethënie kaq të madhe në historinë tonë.

Nga mëngjesi deri në darkë, ditë për ditë, pa pushim Shqipërisë po i vijnë vërdallë hije të së shkuarës dhe disa simbole të korrupsionit, duke treguar lloj lloj gënjeshtrash e mashtrimesh, vetëm e vetëm për të justifikuar atë që i kanë bërë këtij vendi për 30 vjet me radhë. Vetëm e vetëm për të mbuluar shkaqet e vërteta të gjendjes ekonomike, shoqërore, psikologjike të njerëzve sot. Vetëm e vetëm për të kamufluar armikun e mirëqënies të shqiptarëve dhe shkakun e largimit të shqiptarëve e në veçanti të rinisë nga shtëpitë e tyre. 

Këto hije të së shkuarës dhe këto simbole të korrupsionit, janë bërë një peshë e tepërt për çdo familje shqiptare, edhe në ekranet e përnatëshme. Janë lodhur shqiptarët së dëgjuari të njëjtat gënjeshtra, të njëjtat mashtrime, të njëjtat justifikime, të njëjtat alibi, apo disa të tjerë që i freskojnë, çdo javë i japin refresh, i rifreskojnë librin e gënjeshtrave. Shikoni si dolën me inceneratorët. Kemi 6 vjet që e denoncojmë aferën e inceneratorëve. Gjashtë vjet betejë për një të vërtetë të dhimbshme, për një aferë korruptive me përmasa monstruoze, të përbindshme. Minimalisht 430 milionë euro. Mendoni se çfarë mund të ishte bërë me këto para po mos të ishin zhdukur në xhepat e një grushti njerëzish, një grushti pushtetarësh ku sot për sot drejtësia ka brenda bishtin jo kokën. Koka është akoma në qeveri. Dhe nga mëngjesi deri në darkë, koka e kësaj afere, bashkë me patericat e tij dhe me tubin e tij të oksigjenit mundohen ta heqin vëmendjen nga kjo. Në një shoqëri normale, në një vend normal, me një demokraci funksionale, me një drejtësi që vepron shpejt, sot kjo qeveri sikur vetëm për atë aferë duhet të ishte para drejtësisë dhe jo të na qeveriste. Qëllimi i tyre është ta mbajnë Shqipërinë kështu me aferë korruptive mbas aferë korruptive, por pa dënime, me të arrestuar që mundësisht lirohen me procese që përsëriten e ripërsëriten pa ndëshkim për vjedhjen që u bëjnë i bëjnë xhepave shqiptarëve. Shikoni çështjen Bechetti si duan ta mbyllin.

Sapo kërkuam Komision Hetimor për një çështje ku janë përfshirë drejtpërdrejt krerët më të lartë që sundojnë sot Shqipërinë dhe kryeministri e kryetari i bashkisë së Tiranës, thanë “jo” megjithëse 5 herë Gjykata Kushtetuese ka thënë; kur 28 deputetë kërkojnë komision hetimor s’thua dot jo. Je i detyruar ta pranosh. Pse? Vetëm e vetëm ta zvarrisin po çfarë fitojnë nga zvarritja? Po kur e zvarrisin pastaj nxjerrin nëpër ekranet e shqiptarëve gënjeshtrat, mashtrimet, shpifjet e përditshme e tani iu kanë ardhur në ndihmë edhe disa aleatë, të drejtpërdrejtë apo indirektë, të dukshëm dhe të padukshëm, që i ndihmojnë me gënjeshtrat, me shpifjet, me mashtrimet e tyre.

Po për masakrën zgjedhore e dëgjoni se ç’thonë sot apo jo? Ku s’ka shqiptarë dhe gjithë faktori ndërkombëtar është vetëdijësuar për faktet që kanë qenë në sytë e të gjithë shqiptarëve, të masakrës zgjedhore, tani, ndokush që ka hesape të pambyllura me drejtësinë, kujton se mund t’i shpëtojë atyre duke mohuar masakrën zgjedhore dhe duke shpikur fabula për pazare që ndoshta vetë i kanë bërë, pikërisht për t’i shpëtuar drejtësisë. Kjo është e vërteta. Këto janë të vërtetat e fundit të një politike që i ka lodhur njerëzit. I ka lodhur është pak madje, i ka shkatërruar nga nervat, i ka dëshpëruar shumë prej tyre, i ka bërë të humbin besimin te vetë politikëbërja si instrument ndryshimi. Dhe kjo është ajo që duan një pakicë njerëzish që vjen vërdallë.

Shikoni se çfarë ndodhi brenda shtëpisë tonë. Ashtu siç ju thashë në fillim, e gjitha gjoja filloi për arsye parimore por paska qenë për hallin e një njeriu. Sali Berisha filloi një lëvizje të tërë vetëm për hallin e tij personal. Dhe përfundoi ashtu siçju thashë, ishte gati t’i vinte, ai bashkë me një grusht njerëzish që për karrigen e tyre janë gati t’i vënë zjarrin shtëpisë së tyre e treguan se kjo nuk është një betejë as për demokracinë, as për demokratët, por për hallin personal të Sali Berishës dhe për karriget e tyre. Jo sot, edhe dje, edhe para 5 vjetësh, edhe para 10-vjetësh, edhe kur kemi qenë në pushtet ishin gati t’i nxirrnin sytë çdo demokrati të ndershëm për karriget e tyre, për pushtetin e tyre personal të cilin gjithmonë e ka ndërtuar mbi sakrificën e demokratëve të ndershëm duke marrë e duke menduar çfarë të marrin kur çdo demokrat i ndershëm mendon çfarë të japi për këtë vend. Njerëzit e kanë kuptuar këtë. Nuk ka arsye tjetër pse jemi të gjithë bashkë sonte këtu e do të vazhdojmë të jemi ditë për ditë sepse njerëzit e kanë kuptuar. Pyetja që bënin njerëzit përpara pse s’del dhe ti, besoj e ka marrë përgjigjen. A mund t’i falja unë Edi Ramës kënaqësinë e një përplasje me demokratët si ajo që u përpoq të bënte Sali Berisha me ata pak njerëz që për karrigen e tyre janë gati të djegin Shqipërinë me datë 8 janar?

A mund t’ia lejoja vetes time në radhë të pare, që ky që më njihni si çunin e lagjes tuaj, edukatës time familjare, sensit tim si demokrat që në momentin e parë që ka lind kjo parti e jo më pastaj përgjegjësisë që më keni ngarkuar si kryetar i Partisë Demokratike t’i vija demokratët kundër njëri-tjetrit?

Jua kam thënë në fillim kush më ka pyetur, jo nuk e bëj. Lëre të shfryjë. E di që është plot me mllef, me zemërim, me gënjeshtra, por e keqja do ta bëjë ciklin e vet si çdo virozë, do të ketë edhe koston e vet si çdo virozë. Por, nuk luftohet duke i vënë demokratët përballë njëri-tjetrit dhe kjo është arsyeja besoj e kuptoni shumë mirë. 8 janari ua ka hapur sytë të gjithëve se pse kam marrë atë vendim dhe pse ai ishte vendim i drejtë. Dhe kjo është një arsye më shumë se pse sot jemi bashkë, jemi shumica absolute këtu e strukturave drejtuese, nesër do të jemi edhe më shumë siç ishim dje, siç ishim para 4 apo 5 ditësh, siç do të jemi nesër sepse demokratët nuk janë bashkë as për emrin, as për karrigen, as për famën e një njeriu të vetëm. Janë bashkë sepse tek bashkimi jonë shohin dhe gjejnë forcën për t’u bërë më të mirë, më të fortë, më të gatshëm që t’i përgjigjemi kujt? Kërkesave të shqiptarëve.

Sa herë kemi qenë bashkë, sa herë kemi qenë të qartë, sa herë kemi qenë të vendosur, kemi ditur të bëjmë punë shumë të mira për këtë vend sikundër dimë sot t’ju kërkojmë falje njerëzve edhe për ato që s’kemi bërë ashtu siç duhet, dhe për ato që kemi bërë gabim, edhe për ato gjynahe dhe mëkate që kanë rënduar mbi demokratët e thjeshtë dhe mbi të gjithë shqiptarët e thjeshtë. Dhe që ky process të jetë i vërtetë nga fillimi në fund, duhet të kemi një ndarje të plotë me këtë kulturë të së shkuarës, me ato hijet e të shkuarës që u thashë që vijnë vërdallë bashkë me simoblet e korrupsionit.

Ne sfidave nuk u jemi trembur asnjëherë. Kundërshtarit edhe kur ka qenë dhe ka patur siç ka sot, të gjitha mjetet, nuk i jemi trembur asnjëherë. E dinë që i fryn tam-tameve të përçarjes sepse duan ta përçajnë Partinë Demokratike pikërisht sepse është pengesa e vetme mes të keqes dhe shpresës së shqiptarëve për ndryshim, mes një shteti plaçkë e një pakice politikanësh, oligarkësh dhe kriminelësh dhe një shteti në shërbim të qytetarëve. Por ne nuk do ta lejojmë siç nuk e kemi lejuar ku me mençuri, ku me vendossmëri e ku të jetë e nevojshme me të dyja bashkë e me çdo sakrificë. Ndërkohë vizioni jonë për të nesërmen që e shpjegojmë sa e sa herë kur ka fushata, në fakt është vision i lindur nga nevojat e shqiptarëve dhe bashkë me detyrën tonë për të shëruar plagët e hapura padrejtësisht ne do të bëjmë gjithçka që të krijojmë një aleacë sa më të gjerë të mundshme me qytetarët e t’u themi me të vërtetë politika e mashtrimit, e gënjeshtrës, e shpifjes ju ka lodhur siç do të lodhte çdo njeri normal, çdo popull normal të Europës. Por mos e humbni shpresën. Sepse ne jemi të vendosur dhe po e tregojmë me vepra, jo me fjalë që një politikë ndryshe po vjen e cila i ka dhënë tashmë provat e para dhe do të japë edhe më shumë prova dhe bashkë më të gjithë shqiptarët e ndershëm që janë shumica absolute e këtij vendi.

Në bazë të parimeve më të shëndosha të demokracisë dhe me në krah ata që i kanë themeluar këto parime, aleatët tanë. Nuk do ta lëmë Shqipërinë në natën e tejzgjatur të tranzicionit, por së bashku do të ecim drejt një drite të re dhe agimi të ri shpresash i cili më shumë se kurrë do t’i gëzojë prindërit shqiptarë sepse do t’ju kushtohet fëmijëve të tyre, brezit të ri.

Shqipëria i ka të gjitha mundësitë! Dhe ne jemi të vendosur që këto mundësi mos t’i gëzojë një grusht njerëzish dhe fëmijët e tyre, por të gjithë shqipatarët dhe fëmijët e tyre. Kjo është esenca e misionit tonë, kjo është esenca e asaj që kemi thënë “ Zgjedhim të Ardhmen” të lëmë mbrapa hijet e të shkuarës, të lëmë mbrapa simbolet e korrupsionit, të lëmë mbrapa praktikën e aliazhit politikë-krim-oligarki dhe të ecim përpara siç na takon ne demokratëve drejt një Shqipërie normale, me politikanë normal, me integritet, të aftë për të marrë me vete shumicën e shqiptarëve në rrugëtimin tonë drejt një Shqipërie ndryshe, ndryshe në kuptimin e shpresave dhe ëndrave të të gjithë prindërve dhe të gjitha familjeve shqiptare për fëmijët e tyre.

Ju faleminderit.