Vendosni fjalën kyçe....

Opsioni i ri ‘bërthamor’ i SHBA ndaj Rusisë, çfarë parashikojnë sanksionet e mundshme


Një projektligj i ri para Senatit të SHBA që do të prezantonte sanksione të reja të paprecedenta kundër Rusisë si dhe kundër zyrtarëve të lartë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, ka acaruar bisedimet e sigurisë midis Moskës dhe Uashingtonit.

Tani për tani masat janë paraqitur si një përgjigje e mundshme ndaj çdo pushtimi të Ukrainës, por, nëse imponohen, ato do të kishin një efekt dramatik në ekonominë ruse.

Propozimet përfaqësojnë një qëndrim jashtëzakonisht të ashpër ndaj propozimeve të sigurisë euroatlantike të Moskës, të cilat kanë qenë objekt i bisedimeve midis Rusisë, Uashingtonit dhe NATO-s.

Shtëpia e Bardhë vendosi të mos i hidhte poshtë dy projekttraktatet e paraqitura nga Kremlini menjëherë dhe hyri në një dialog të kujdesshëm me Rusinë. Megjithatë, është e qartë se diplomacia nuk u pëlqen të gjithëve dhe senatori demokrat Bob Menendez, arkitekti kryesor i sanksioneve, i ka kërkuar Uashingtonit të mos bëjë asnjë lëshim kur bëhet fjalë për Rusinë.

Përveç kësaj, projektligji kërkon më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe përdorimin e masave ndëshkuese për të frenuar Rusinë duke përfshirë:

  • Kufizimet ndërkombëtare për marrëdhëniet me bankat kryesore ruse;
  • Kufizimet në transaksionet me obligacionet ruse (përfshirë obligacionet e emetuara nga kompanitë shtetërore);
  • Sanksionet dytësore ndaj kompanive që ofrojnë shërbime të mesazheve financiare (d.m.th. SËIFT);
  • Sanksionet personale kundër presidentit rus dhe zyrtarëve kryesorë të qeverisë;
  • Sanksionet në lidhje me industritë nxjerrëse ruse si nafta, gazi dhe miniera;
  • Një rishikim i sanksioneve kundër gazsjellësit Nord Stream 2

Ndryshe nga administrata amerikane, e cila lidh sanksionet më të ashpra me një përplasje të hapur ushtarake midis Rusisë dhe Ukrainës, vetë senatorët amerikanë nuk i përcaktojnë qartë kushtet në të cilat do të zbatohet grupi i propozuar i sanksioneve. Projektligji kërkon që presidentit t’i dorëzohen raporte të rregullta, duke përshkruar nivelin e tensioneve midis Moskës dhe Kievit.

Nëse Moska rrit presionin, krahasuar me nivelet e saj të dhjetorit 2021 dhe nëse veprimet e Rusisë nga këndvështrimi i Uashingtonit kërcënojnë shtetësinë e Ukrainës, Presidentit të Shteteve të Bashkuara do t’i kërkohet të vendosë sanksione të reja.