Vendosni fjalën kyçe....

Vizita e Erdogan në Shqipëri mes inagurimeve, ultimatumeve dhe shmangieve


Ditën e sotme, Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan zhvilloi një vizitë në vendin tonë e cila u karakterizua kryesisht në inaugurime dhe fjalime për shprehje mbështetje për Shqipërinë si dhe lidhjen e 7 marrëveshjeve.

Inagurimet

Fillimisht Erdogan u ndal në Laç ku preu shiritin për 522 apartamentet e ndërtuara nga buxheti turk.

Në këtë qytet Erdogan iu dha titulli ‘Qytetar Nderi i Kurbinit’., si edhe një sheshi kryesor në vendin ku u ndërtuan apartamentet iu vu emri “Sheshi Erdogan”.

Ndërsa në Laç u inauguruan banesat në kuadër të rindërtimit dhe si dhuratë e shtetit turk pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, në Tiranë u inaugurua Xhamia e Et’hem Beut në qendër të Tiranës.

Kjo xhami u restaurua nga fondet e Agjenicës turke për Bashkëpunim Tika e cila ndër të tjera do vijojë bashkëpunimin në fushën e restaurimeve edhe në Xhaminë e Plumbit në Shkodër apo sajtet e trashëgimisë kulturore në Berat, Gjirokastër dhe Shkodër.

Marrëveshjet

Pas Laçit, vizita mori krah tjetër dhe u zhvendos në Tiranën politike ku u firmosën edhe 7 marrëveshje mes dy qeverive.

Shtatë marrëveshjet që firmosen:

1-Memorandum mirëkuptimi në fushën e menaxhimit të Fatkeqësive ndërmjet Drejtorisë së Emergjencave dhe Ministrisë së Brendshme të Turqisë.

2-Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Agjencisë Anadolu dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

3-Protokoll bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme Shtetërore të Operas së Baletit dhe të ministrisë së Kulturës dhe Turizimit të Turqisë dhe Ansamblit të Operas dhe Baletiti dhe Folklorit shqiptar.

4-Memorandum mirëkuptimi ndërmjet ministrisë së jashtme të Turqisë dhe asaj shqiptare për bashkëpunimin në fushën e protokollit.

5-Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e trajnimeve për zbatimin e ligjit ndërmjet qeverisë së Turqisë dhe Shqipërisë.

6-Protokoll Bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Arkivit Shtetërore Turqisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivit.

7-Memorandum mirëkuptimi për Bashkëpunimin në Fushën e Rinisë dhe Sporteve ndërmjet ministrisë se Turqisë dhe asaj shqiptare.

Shmangiet

Këtë vizitë të Erdogan në Shqipëri mund ta quajmë edhe të shmangieve të mëdha. Nuk mund të anashkalohej pa u vënë re se Protokolli shtetëror i dy vendeve nuk ishte rezervuar për një takim mes dy homologëve të dy vendeve.

Presidenti Erdogan gjatë vizitës së tij nuk takoi Presidentin Ilir Meta. Nga presidenca shqiptare nuk ka pasur asnjë reagim pse nuk u rezervua një takim mes dy krerëve të shtetit.

Meta homazhe në memorialin  Gjergj Kastriot Skënderbu në Lezhë 17 janar 2022

Shmangia tjetër ishte ajo e Komunitetit Mysliman Shqiptar në ceremoninë e inaugurimit të restaurimit të Xhamisë së Et’hem Beut. Nuk dihet arsyeja pse shteti shqiptar dhe ai turk në protokollet e tyre shtetërore refuzuan të përfshinin Komunitetin Shqiptar Mysliman në ceremoni.

Ultimatumi “FETO”

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan në fjalën e tij në institucionin më të lartë përfaqësues të shtetit në Kuvendin e Shqipërisë lëshoi ultimatumin “FETO” përpara deputetëve duke e konsideruar këtë organizatë si helmuese dhe parakusht të marrëdhënieve “vllazërore” mes Turqisë e Shqipërisë.

Erdogan kërkoi që Shqipëria të marrë masa kundër FETO-s deri në vizitën e tij të ardhshme.

Anëtarët e kësaj organizate pas 5 vitesh nga grushti i shtetit vijojnë të jenë në Shqipëri, në fushën e biznesit, në fushën e arsimit dhe në fusha të tjera. Çështjen e FETO-s ne e shohim si një parakusht të vëllazërisë tonë. Ndaj nuk duhet të keni asnjë lloj dyshimi se ata me të ardhur koha do të tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë. Sa më shpejt duhet të shpëtoni nga kjo strukturë helmuese dhe tinëzare.

Nëse nuk veproni në kohë, tentativa si në Turqi mund të përsëriten dhe në vendin tuaj. Ne si shtet kemi paguar një kosto shumë të rëndë. Presim që Shqipëria të marrë masa të menjëhershme kundër FETO-s dhe shpresoj që kjo çështje të ketë marrë fund në vizitën time të ardhshme në Shqipëri”- tha Erdogan./Hashtag.al