Vendosni fjalën kyçe....

Biden për pengmarrjen në sinagogën e Teksasit: Akt terrorist, duhet kontroll për blerjen e armëve  


FBI ka identifikuar njeriun që mori peng katër persona në një sinagogë në Teksas të shtunën si Malik Faisal Akram, një shtetas britanik 44-vjeçar.

Në një deklaratë të së dielës, autoritetet thanë se po vazhdojnë të hetojnë, por nuk besojnë se individë të tjerë përveç Akramit janë përfshirë.

FBI tha se ekipi i saj është ende duke përpunuar skenën e krimit në sinagogën Colleyville, Teksas. Pengmarrja përfundoi me vdekjen e Akramit pasi policia hyri në sinagogë pas disa orësh negociatash.

Shumë media amerikane spekuluan të shtunën se Akram ishte vëllai i Aafia Siddiqui, një neuroshkencëtare pakistaneze e akuzuar në vitin 2010 për përpjekje për të vrarë ushtarë amerikanë dhe agjentë të FBI-së jashtë shtetit. Siddiqui aktualisht po vuan një dënim 86-vjeçar në SHBA dhe Akram thuhet se po negocionte për lirimin e saj, duke iu referuar asaj si ‘motra e tij’.

Megjithatë, një avokat i vëllait biologjik të Siddiqui-t konfirmoi se ata nuk kanë lidhje me të dyshuarin tashmë të ndjerë. Gruaja e burgosur, për të cilën shumë argumentojnë se është një e burgosur politike e pafajshme, dënoi gjithashtu veprimet e Akramit.

Presidenti i SHBA Joe Biden e përshkroi situatën e pengjeve si një ‘akt terrorist’, të dielën, madje duke sugjeruar se për të autorin kishte qenë shumë e lehtë të armatosej. Presidenti i quajti kontrollet për blerjen e armëve si tejet ‘thelbësore’.