Vendosni fjalën kyçe....

Opozita rreshtohet me qeverinë kundër referendumit serb në Kosovë: Cenon sovranitetin e vendit


Partitë opozitare në Kosovës janë rreshtuar me Vetëvendosjen lidhur me çështjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

Sipas PDK-së, LDK-së e AAK-së, mbajtja e një referendumi të tillë ëstë shkelje flagrante e sovranitetit të Kosovës.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka bërë thirrje që qeveria duhet të bashkërendojë veprime me ndërkombëtarët për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, shkruan Koha.

“Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshem lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e nje shteti fqinj. Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran.” – ka thënë Krasniqi.

Kreu i LDK-së, Abdixhiku, ka theksuar se sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni.” – ka shkruar Abdixhiku në një reagim në Facebook.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kundërshtuar gjithashtu mbajtjen e referendumit serb në Kosovë, duke thënë se përpjekja e Serbisë në këtë drejtim është sulm mbi integritetin kushtetues të shtetit.

“Pretendimi i Serbisë që të organizojë referendum kushtetues në territorin e Kosovës është sulm flagrant mbi sovranitetin dhe integritetin kushtetues të Kosovës. Prandaj inkurajojmë dhe jemi në mbështetje të të gjithë atyre që e kundërshtojnë me forcë organizimin e këtij referendumi. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe në territorin e saj nuk mund të organizohen kurrfarë referendumesh të shteteve të tjera, e as referendumi i Serbisë, i cili pastër është përpjekje për ushtrimin e sovranitetit nacional të Serbisë mbi Kosovën.” – thuhet në reagimin e AAK-së.

Reagimi i tyre vjen vetëm pak pasi vendet e QUINT-it kanë kërkuar të premten nga Qeveria e Kosovës që të lejojë të zhvillohet referendumi i Serbisë në Kosovë, për ratifikimin e ndryshimeve kushtetuese të këtij shteti.

Mirëpo Qeveria e Kosovës ka deklaruar se referendumi mund të zhvillohet vetëm në dy forma: nëpërmjet postës dhe nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Republikën e Kosovës, forma këto të cilat Serbia nuk po i pranon.