Vendosni fjalën kyçe....

Basha i përgjigjet Metës: Kërkon të shkatërrosh PD-në në bashkëpunim me Berishën, qëndro larg selisë e mos u përziej


Partia Demokratike ka akuzuar presidentin Meta se është në aleancë me Sali Berishën për shkatërrimin e saj.

Në një reagim në faqen zyrtare në Facebook, selia blu thekson se ata duan ta shkatërrojnë PD-në pasi ajo nuk bëhet bunker ku të strehohen ata që kanë halle personale.

Më tej PD i bën thirrje Metës që të qëndrojë larg selisë dhe larg debatit të brendshëm që po ndodh.

Qëndrimi i sotëm i Ilir Metës, ku nuk fshehu aleancën me Sali Berishën kundër Partisë Demokratike dhe rolin e tij aktiv në sulmin ndaj selisë qendrore të Partisë Demokratike, është e vërteta tronditëse që po kuptojnë dita-ditës demokratët. Sali Berisha dhe Ilir Meta janë në një aleancë për të shkatërruar Partinë Demokratike, vetëm për faktin se ajo nuk bëhet bunker ku strehohen ata që kanë halle personale. Partia Demokratike ripërsërit kërkesën që Ilir Meta dhe njerëzit e tij të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike. Koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha. Ndërhyrja e Presidentit të Republikës, njëlloj si Edi Rama, në një debat të brendshëm në Partinë Demokratike, tregon atë që kemi thënë që në nisje, që trekëndëshin Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh, por që nuk është as halli i Partisë Demokratike dhe as halli i qytetarëve shqiptarë.” – shkruhet në reagimin e selisë blu.